FMN ikën dhe “rrëzon” Berishën

by admin on 09/01/09 at 4:17 pm

Bode e Fullani nuk guxojnë të japin shifra. Batutat e “lamtumirës”

Rritja ekonomike për vitin 2008 nuk do të jetë më shumë se 6 për qind, ndërsa sa i takon llogaritjeve të bëra nga INSTAT-i, ato do të rishikohen. Fondi Monetar thotë fjalën e fundit, pasi ka firmosur marrëveshjen përfundimtare me qeverinë, duke hedhur poshtë pretendimet e Kryeministrit për një rritje 9.9 për qind. Pavarësisht deklaratës së FMN-së, Kryeministri Berisha nuk është tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm, duke thënë se “i takon vetëm INSTAT-it të japë rezultatin për rritjen ekonomike”.

Ceremonia e firmosjes së fundit të marrëveshjes së FMN-së, që u zhvillua dje në Kryeministri, nuk ka kaluar pa batutat e Berishës, emocionet e shprehura nga Guvernatori Fullani, skepticizmin e ministrit Bode dhe ironinë e përfaqësueses së Fondit, Westin. Në fund të ceremonisë, palët ranë dakord se, duke nisur nga shkurti që vjen, Shqipëria dhe FMN-ja do të kenë një bashkëpunim ndryshe, që do të thotë se qeveria do të vendosë vetë mbi politikat makro, ndërsa Fondi Monetar do të jetë një konsulent në distancë. Në 15 vjet, FMN-ja ishte monitoruesja e zbatimit të buxhetit dhe i politikave fiskale, ndërsa paraqiste qëndrimet e saj pro apo kundër politikave monetare të Bankës së Shqipërisë. Pa firmën e FMN-së, qeveria nuk mund të merrte një vendim, ndërsa në muajin shkurt e tutje do të vendosë vetë, pa u penguar nga Fondi Monetar.

Përplasja

Përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë, Ann-Margret Westin, pranoi se për nxjerrjen e rezultatit të përgatitur nga INSTAT-i, sipas të cilit rritja ekonomike është rreth 10 për qind, është punuar me ekspertë të FMN-së. “Treguesit tremujorë të PBB-së mbështeten në disa të dhëna dhe këta janë më të ngushtë sesa ata me të cilët matet rritja vjetore e PBB-së, pra treguesit tremujorë të jenë më të luhatshëm”, u shpreh Westin. Përfaqësuesja e FMN-së shtoi se, meqenëse rezultati i INSTAT-it për rritje ekonomike tremujore është i pari, shifra 9.9 për qind do të jetë subjekt i rishikimeve. Për Kryeministrin, pak rëndësi ka parashikimi i FMN-së, i cili paraqet një rritje ekonomike më të vogël sesa INSTAT-it. “Unë pres që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike. Ndaj, duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin e FMN-së, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t‘ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave”, iu përgjigj Kryeministri deklaratës së Westin. Qëndrimet e kundërta të Westin dhe Berishës kanë shkuar edhe më tej, kur përfaqësuesja e FMN-së është shprehur se “mënyra se si është matur PBB-ja tremujore reflekton edhe formalizimin e ekonomisë, pra, kalimin e bizneseve nga sektori informal në atë formal. Por, nëse formalizimi i ekonomisë është një fenomen shumë i mirëpritur, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje ekonomike në vetvete”. Kryeministri Berisha u mundua të bindte përfaqësuesen e FMN-së duke thënë se “është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, pasi ka rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga 2007-a, pasi energjia elektrike në vitin që lamë pas nuk ka munguar”. Në fund të deklaratave rreth rritjes ekonomike, Westin tha se “për rritjen vjetore të PBB-së për vitin 2008, mbajmë parashikimin tonë për 6 për qind”. Kryeministri pranon në fillim shifrën 6 për qind, duke e cilësuar si të shkëlqyer, por nuk nguron të paraqesë dyshimet rreth parashikimeve të FMN-së. “Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi që bën FMN-ja sa i takon rritjes ekonomike”, u shpreh në fund Berisha.

Hezitimi

Ministri i Financave foli gjerë e gjatë rreth bashkëpunimit 15-vjeçar me FMN-në, duke i cilësuar si të frytshme. Sipas Bodes, një pjesë e arritjeve të qeverisë në tre vitet e fundit i takojnë bashkëpunimit me FMN-në, e cila ka shërbyer si konsulente e afërt në ndërmarrjen e një sërë vendimeve, si buxhetore ashtu dhe fiskale. Tone të shkëlqyera përcolli edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili tha se me ekspertët e FMN-së kishte një përvojë bashkëpunimi 18-vjeçar. Ajo që ra në sy në fjalimin e dy krerëve të institucioneve financiare ishte fakti i hezitimit për të përmendur rritjen ekonomike. Në deklaratat e tyre mungoi një qëndrim i qartë rreth rritjes ekonomike, duke treguar pasigurinë rreth rezultatit të INSTAT-it.

Arsyet pse kundër!

“Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 përqindësh vjetore në vitin 2008, është sepse që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh. Sa për t‘ju rikujtuar, në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN-ja reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë vit dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës”.

Batutat

Bode: Sot, është një ditë e lumtur për të gjithë, por jo aq shumë për Ministrinë e Financave.

Fullani: Bashkëpunimi me FMN-në është si puna e policës së sigurimit.

Fullani: Dhe në fund, që është qershia mbi tortë, dua të falënderoj znj. Westin, për mbështetjen e dhënë.

Berisha: Ju zoti guvernator nuk mund të bëni dot pa tortat…

Berisha: Mediat kanë zero njohuri, madje minus zero sa i takon rritjes ekonomike.

FMN-ja, dedikim qeverisë “Nano”

Falënderimet, Berisha “harron” Boden

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, Sali Berisha, nuk nguroi të falënderonte Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in për punën e bërë në tre vitet e fundit, duke “harruar” Ministrinë e Financave, e cila ka një departament të posaçëm që bashkëpunon me FMN-në. Nëse do të ishte rastësi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe pas mbylljes së konferencës, ku Kryeministri i dha dorën të gjithëve, duke përjashtuar vetëm ministrin Bode. Falënderime kishte edhe nga ana e përfaqësueses së FMN-së, Ann-Margret Westin, e cila tha se “bashkëpunimi me këtë qeveri ka qenë i frytshëm”. Westin shtoi në fund se falënderonte edhe qeverinë e mëparshme, drejtuar nga socialistët, ku Kryeministër ishte Fatos Nano.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login