FC Prishtina, kampione në Zvicër

by on 13/01/09 at 9:39 am


FC Prishtina e ka fituar turneun e Futsallit, i cili u zhvillua në Zvicër. Bardhekaltrit në finale e kanë mposhtur FC Aaraun me rezultat 6:0. Ekipi i udhëhequr nga Afrim Tovërlani në gjysmëfinale ka mposhtur FC St. Gallen. Kurse, në ndeshjet grupore, ekipi prishtinas ka fituar ndaj FC Lucernit, ndërsa në ndeshjen e parë humbi nga FC Thun.
Nga Valon Konushevci & Moral Pozhegu  më 12.01.2009 në ora 10:55

Kampioni i Kosovës në futboll, FC Prishtina e ka zënë vendin e parë në turneun e Futsallit, i cili u zhvillua të dielën në Zvicër. Bardhekaltrit në ndeshjen vendimtare e kanë mposhtur me rezultat bindës, 6:0, FC Aaraun, anëtar i elitës së futbollit zviceran. Dy gola në ndeshjen finale për ekipin prishtinas i ka shënuar Suad Saliagiq, ndërsa nga një gol e kanë shënuar Isuf Llumnica, Agron Skeraj, Visar Berisha dhe Behar Maliqi.

Në këtë turne kanë marrë pjesë gjithsej gjashtë skuadra, të cilat kanë garuar në dy grupe. Në grupin A kanë marrë pjesë FC Prishtina, FC Thun dhe FC Luzern. Ndërsa, pjesë e grupit B kanë qenë FC St. Gallen, FC Winterthur dhe FC Aarau.

Madje, ndeshja ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Thunit e ka hapur këtë turne. Në këtë ballafaqim, fitore ka shënuar ekipi zviceran me rezultat 3:5. Golat për Prishtinën në këtë lojë i kanë shënuar Beqiri, Llumnica dhe Berisha.

Në ndeshjen e dytë, djelmoshat e Afrim Tovërlanit kanë shënuar fitore me rezultat 5:3 përballë FC Luzernit. Në këtë takim dy gola i ka shënuar Ahmeti, kurse nga një gol e kanë realizuar Beqiri, Llumnica dhe Ahmeti.

Prishtina në finale arriti pasi në ndeshjen gjysmëfinale e mposhti FC St. Gallen me rezultat 4:3. Golat për ekipin kryeqytetas në këtë takim i kanë shënuar Beqiri, Ahmeti, Berisha dhe Saliagiq.

Trajneri i FC Prishtinës, Afrim Tovërlani ka thënë se skuadra e tij ka lënë përshtypje të mira në këtë turne, pasi ekipi kosovar ka mposhtur skuadra të forta zvicerane. “I kemi fascinuar të gjithë të pranishmit, i falënderoj djelmoshat që e dhanë maksimumin dhe tifozët që ishin gjithnjë përkrah nesh. Ishte e vështirë të përballeshim me skuadra si Lucerni, Aarau e St. Galleni, nuk është e lehtë t’i mposhtësh këto ekipe”, deklaroi Tovërlani për Express pas përfundimit të turneut.
“Fillimisht kisha frikë nga lodhja nga dy ndeshjet paraprake dhe udhëtimi, i cili zgjati 6 orë me autobus. Ne më parë nuk kishim luajtur asnjëherë Futsall të tillë. Ndeshjen e parë e humbëm, sepse luhej pa autë dhe kornerë, mirëpo më pas u adaptuam dhe i fituam 3 ndeshjet pasardhëse”, e përshkroi Tovërlani aventurën e skuadrës së tij në këtë turne.

Trajneri prishtinas është i kënaqur me eksperiencën ndërkombëtare të klubit të tij. “Kjo ishte një eksperiencë e mirë për skuadrën tonë, por edhe për Kosovën në përgjithësi. Me zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare ne marrim përvoja të mira dhe na shtohen aspiratat për të ardhmen”, përfundoi Tovërlani.

Para se t’i fillonte garat në këtë turne, lideri i Raiffeisen Superligës së Kosovës pati zhvilluar dy ndeshje të tjera miqësore ndërkombëtare në Gjermani me dy ekipe të Bundesligës 2. Në të dyja ato takime bardhekaltrit patën pësuar disfata. Në ndeshjen e parë, respektivisht të enjten, në përballje me Greuther Furth, kampioni i Kosovës është mposhtur me rezultat 3:0. Ndërsa, të shtunën ishte skuadra FC Koblenz ajo që ia shkaktoi ekipit kosovar humbjen e dytë, pasi e mposhti me rezultat minimal, 1:0.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login