Evropa ndëshkon Shqipërinë

by DashiC on 27/01/09 at 3:15 pm

Shkarkimi i Biberajt, KE “ngrin” të drejtën e votës. Berisha shmang debatet me deputetët, ikën me Topallin në Shkodër

Ditë të vështira për Partinë Demokratike. Pesë muaj përpara zgjedhjeve, partia më e madhe në vend përfshihet nga një konflikt i hapur, ku në shënjestrën e saj ka Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin. Megjithëse Kryeministri Berisha është përpjekur të shuajë debatet brenda grupit parlamentar të PD-së, duke urdhëruar anulimin e tij, “shpërthimet” nga pakënaqësitë brenda PD-së nuk kanë ndaluar. Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, ka fajësuar këmbë e kokë dje Kryetaren e Kuvendit se ka thyer rregulloren dhe shkelur kompetencat, duke shkarkuar Aleksandër Biberajn nga funksionet e tij në Këshillin e Evropës pa njoftuar më parë Kuvendin. Jo vetëm opozita, por edhe një pjesë e Partisë Demokratike është renditur kundër nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli. Sipas Mustafajt, “Kryeparlamentarja Topalli ka shkelur dy herë kompetencat: e para se e ka zëvendësuar Biberaj pa njoftuar më përpara Kuvendin dhe e dyta se Topalli nuk ka të drejtë të kontrollojë faturat financiare të deputetit, sepse ato paguhen nga Kuvendi. Me këtë mënyrë shkarkimi është shkelur dinjiteti i deputetit”. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka folur ashpër kundër Kryetares së Kuvendit për këtë akt që ai e ka quajtur të paprecedent.

Çështja “Biberaj” ka marrë përmasa të gjera brenda Partisë Demokratike, duke sjellë rebelimin e disa demokratëve.

Kriza e brendshme në Partinë Demokratike duket se do të thyejë ekuilibrat e mazhorancës, dhe këtë e ka treguar edhe përplasja Topalli-Biberaj. Për të shuar konfliktin, por edhe për të evituar zërat ndryshe brenda grupit të PD-së, kreu i demokratëve ka preferuar të zhvillojë një vizitë në Shkodër bashkë me nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli. Largimi i Aleksandër Biberajt nga kreu i delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës ka ngjallur një debat të ashpër jo vetëm mes opozitës dhe mazhorancës, por edhe vetë brenda Partisë Demokratike. Deputeti i selisë blu, Besnik Mustafaj, doli dje në mbrojtje të deputetit Biberaj, duke akuzuar Kryeparlamentaren Topalli për shkelje të procedurave. “Topalli ka shkelur detyrimet e saj për t‘i mbuluar shpenzimet zotit Biberaj në kohën kur ai duhej të kryente funksionet e tij si kryetar i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ka shkelur procedurat tani në zëvendësimin e tij”, tha Mustafaj. Sipas deputetit demokrat, është e palejueshme që Kryetarja e Kuvendit e ka vënë seancën para faktit të kryer kur e ka zëvendësuar deputetin demokrat, Biberaj, pa njoftuar seancën parlamentare. “Pa dyshim që kjo ngjarje në Këshillin e Evropës lë gjurmë në imazhin e Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë lë gjurmë negative, të dëmshme për imazhin e mazhorancës sonë”, tha Mustafaj. Një grup deputetësh demokratë prisnin mbledhjen e grupit parlamentar për të vendosur me shpatulla pas murit dhe për t‘i kërkuar llogari Kryetares së Kuvendit për vendimin e saj të fundit.

PD: Nuk është përplasje Biberaj-Rusmali, por Topalli-Topi

Riaktivizohen klanet në Partinë Demokratike. Mazhoranca, përplasjen e fundit në Partinë Demokratike nuk e cilëson si një “luftë” mes deputetëve Aleksandër Biberaj dhe Ilir Rusmali, por një konflikt i mbartur nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti Bamir Topi. Një “hakmarrje” e vjetër politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare duket se do të rikthejë përplasjet e mëdha në selinë blu. Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, është shprehur me superlativa për punën e zv/presidentit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberajn, por gjithashtu ka komentuar si pozitive kandidaturën e deputetit Ilir Rusmali për kryesimin e delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës. Sipas tij, problematike është mënyra se si Kryetarja e Kuvendit ka vepruar duke thyer rregullat e Parlamentit. Deputetët e djathtë e cilësojnë përplasjen e fundit si një konflikt të vjetër që nuk ka në thelb marrëdhëniet mes Biberajt dhe Rusmalit, por mes kreut të shtetit dhe Kryeparlamentares.

Mazhoranca dëmtoi imazhin e vendit me konfliktin Topalli-Biberaj

Opozita: Berisha e Topalli sakrifikuan

vendin vetëm për interesa klanore

Opozitarët akuzuan dje mazhorancën se me konfliktin e hapur mes Jozefina Topallit dhe Aleksandër Biberajt po dëmtohen imazhin e Shqipërisë. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, vlerësoi se “kur na ndajnë edhe 153 ditë nga fundi i kësaj epoke, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli na treguan edhe një herë se do të mbeten deri në fund udhëheqësit që nuk meritojmë, politikanët që nuk na duhen, njerëzit që për interesat e përfitimet e tyre personale dhe larjen e hesapeve të tyre klanore sakrifikojnë çdo interes të vendit e të qytetarëve pa dallim. Pas 153 ditësh të keq qeverisurit përditë e më shumtë të këtij vendi, të të gjitha moshave e anëve të Shqipërisë, do të bëjmë realitet ndryshimin e madh dhe ndarjen me të keqen që mishëron pushteti i sotëm i Sali Berishës e Jozefina Topallit”, tha Kodheli. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi debat absurd atë që është hapur mes Topallit dhe Biberajt. “Nuk është më një çështje e problemeve që mund të jenë brenda Partisë Demokratike, por që është kthyer në një problem të raporteve të Shqipërisë me Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare”, theksoi Meta. Ai këmbënguli se askush nuk duhet të cenojë personalitetin dhe dinjitetin e raporteve të vendit me institucionet ndërkombëtare. “Nuk e kuptoj se si mund të anashkalohen të gjitha procedurat parlamentare dhe se si në mënyrë arbitrare të zëvendësohet një përfaqësues i miratuar nga Parlamenti, thjesht me një nënshkrim të Kryetares”, shtoi Meta. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Socialdemokrate, Diana Çuli, tha se pas skandalit të ligjit të dosjeve – një ligj antikushtetues, mazhoranca qeverisëse vazhdon me skandalin tjetër të radhës – atë të qëndrimeve anti-Evropë e anti-SHBA. “Urdhri i Kryetares së Kuvendit për shkarkimin nga detyra të deputetit Aleksandër Biberaj si kryetar i delegacionit shqiptar në KE dhe zëvendëspresident i Asamblesë së Këshillit të Evropës, siç u shprehën vetë zyrtarët e lartë të këtij institucioni, është shkelje e standardeve demokratike”, u shpreh Çuli. Kreu i PS91, Petro Koçi, e konsideroi rastin “Biberaj” si një dëshmi të mbivendosjes dhe pakontrollueshmërisë së pushtetit personal mbi atë institucional parlamentar. “Politika e përjashtimit, e kthyer tashmë në sistem edhe në kartën themelore të shtetit apo në kodin politik sundues në vend, po sjell rrënimin e parametrave të demokracisë dhe imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi Koçi.

PD e PS përplasen në Kuvend për “çështjen Biberaj”

Çështja “Biberaj” ka shkaktuar debate të ashpra dje në sallën e Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj ka deklaruar se kjo çështje ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Leskaj ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit për shkeljen e rregullores së Parlamentit, duke theksuar se tashmë KE ka vendosur që delegacioni shqiptar të futet në status tranzitor për shkak se është shkelur rregullorja e Parlamentit lidhur me përbërjen e delegacionit. Çështja është çuar në komisionin e rregullores që të marrë një vendim. Leskaj ka deklaruar më tej se në Shqipëri do të vijë një mision i shpejtë i dy reporterëve të KE-së për ligjin e lustracionit dhe për ndryshimet e papritura në delegacionin parlamentar. “Ky është një precedent jo vetëm turpërues për imazhin, po edhe i rrezikshëm për vendin, për proceset integruese. Kjo do të thotë të mos e kesh idenë si funksionojnë institucionet në demokraci dhe t‘i shpërdorosh ato”, është shprehur Leskaj. Kryetarja e grupit të PS-së i ka kujtuar Topallit dhe mazhorancës se është shkelur rregullorja e Parlamentit me rastin Biberaj. Ajo ka sqaruar se shqetësimi i tyre nuk është emri i Biberajt, por nëpërkëmbja e Parlamentit dhe vënia e vendit në një pozitë qesharake në sytë e botës dhe kjo, tha Lekskaj, është një kosto që nuk e paguani ju shkaktarët e kësaj situate groteske, por shqiptarët. Ajo i ka kërkuar Topallit shpjegime për situatën që e cilësoi absurde, në të cilën është vënë Shqipëria. Për kërkesën e opozitës, përgjigjja e Topallit ka qenë me një fjali. Ajo u ka komunikuar deputetëve faktin se tani në krye të delegacionit të KE-së do të jetë Ilir Rusmali dhe jo më Aleksandër Biberaj. Deputetët Paloka dhe Patozi janë shprehur pro këtij veprimi, duke i kujtuar opozitës se nuk është detyrë e tyre të përcaktojnë se cili do të jetë përfaqësuesi i mazhorancës në KE. Kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar se opozita po e interpreton gabim rregulloren dhe nuk mund të caktoje kompetencat e kryetarit të Kuvendit.

“Përfaqësimi i Kuvendit shqiptar duhet të jetë dinjitoz dhe për këtë arsye u propozua në krye të delegacionit Ilir Rusmali”, tha Patozi. Më tej ai ka sqaruar se kërkesa e Topallit është bërë në bazë të nenit të rregullores që bën fjalë për kompetencat e kryetarit.

Islami: U ndëshkuam. Përnaska: Nuk është e vërtetë, ne votuam

Këshilli i Evropës “ngrin” votën e

delegacionit shqiptar në Asamble

Këshilli i Evropës ka ngrirë të drejtën e votës deri në një vendim të dytë për delegacionin e Shqipërisë. Shkak i marrjes së këtij vendimi është bërë shqyrtimi i kërkesës së Kryetares së Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli, e cila ka kërkuar zëvendësimin e kryetarit të delegacionit, Aleksandër Biberaj, me deputetin tjetër të mazhorancës, Ilir Rusmali.

Kastriot Islami

Deputeti i PS-së, anëtar i delegacionit shqiptar në KE, është shprehur dje se çështja “Biberaj” është diskutuar në Këshillin e Evropës. Ai ka bërë të ditur se fillimisht zëvendësimi i tij është diskutuar në byronë e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Më pas, kjo çështje ka kaluar për diskutim në asamble, pasi në mbledhjen e parë të saj bëhet verifikimi i mandateve. Deputeti Islami ka deklaruar se ka qenë kryetari i grupit liberal, deputeti i Hungarisë, i cili ka kundërshtuar mandatin e Shqipërisë, duke dhënë argumentin se aty janë shkelur procedurat për zëvendësimin e deputetit Biberaj dhe sjelljen e delegacionit të ri. Pas kësaj kërkese, ka deklaruar deputeti Islami, është ndërprerë procedura për Shqipërinë, duke ia kaluar çështjen komisionit të rregullores dhe brenda 24 orëve do të jepet një gjykim për të. Sipas tij, pritet që të mërkurën ose të enjten të diskutohet edhe njëherë çështja e kredencialeve të delegacionit shqiptar, që nuk kanë të drejtë tani më të marrin pjesë në votime deri në momentin kur do të merret një vendim nga asambleja e KE-së. Islami ka sqaruar se nëse pas verifikimit vihet re dhunim i procedurave të parlamentit shqiptar, mund të merren të gjitha llojet e vendimeve dhe ato i paraqiten Asamblesë Parlamentare. Deputeti i PS-së ka theksuar më tej se Asambleja e Këshillit të Evropës është shprehur e habitur nga ky veprim, duke theksuar se është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Por, më të habitur janë për faktin se kjo ka ndodhur në Shqipëri, për të cilën ata prisnin një hap më para dhe kjo që ndodhi ka qenë një goditje e rendë e imazhit. Islami bën të ditur se të shqetësuar janë shprehur dhe Presidenti i APKE-së, Luis Maira de Puig dhe Sekretari i Përgjithshëm, Teri Devis. Asnjë prej tyre nuk arrin të kuptojë përse është marrë ky vendim që eleminon kryetarin e delegacionit të Shqipërisë në KE. Argumenti për abuzim me shpenzimet konsiderohet qesharak në mbledhjen e grupit të partive popullore. Me këtë rast Shqipëria humbet gjithashtu postin e zëvendës-presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, pozicionin e zëvendës-presidentit të komisionit të Rregullores e të Procedurave dhe atë të raportuesit për krimet e kryera në periudhën e Stalinit të Ukrainë.

Lajla Përnaska

Krejt i kundërt nga qëndrimi i nënkryetarit të delegacionit, Islami, ka qenë qëndrimi i anëtares së këtij delegacioni, deputetes së PD-së, Lajla Përnaska. Ajo ka deklaruar se nuk është e vërtetë që delegacionit shqiptar i është pezulluar e drejta e votës. Sipas saj, puna e tyre ka vijuar normalisht në Këshillin Evropës. “Grupi shqiptar, tha Përnaska, ka të drejtë vote dhe anëtarët kanë votuar e diskutuar në të gjitha mbledhjet e komisioneve”.

KE

Rusmali në tabelën elektronike mban numrin 969

Zyra e shtypit të Kuvendit ka bërë publike dje për mediat tabelën elektronike të vlefshmërisë për votimin në Këshillin e Evropës. Në tabelë kanë qenë emrat e Kastriot Islamit, Lajla Përnaskës, Paskal Milos, dhe Ilir Rusmalit, i cili në atë tabelë mbante numrin 969. Sipas kësaj tabele elektronike, bëhet e ditur se Ilir Rusmali dhe delegacioni shqiptar kanë votuar dhe kanë konfirmuar prezencën e tyre në sallën e Këshillit të Evropës, ndërkohë që katër anëtarët e tjerë: Çuli, Dedja, Dule dhe Trashani kanë munguar në takimin e djeshëm.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login