ENEL, e detyruar të konsultohet me publikun për TEC-in e Durrësit
by admin on 06/01/09 at 8:56 pm
Ministri Xhuveli: Tre muaj afat për të marrë lejen mjedisore
Ekspertët italianë të ENEL-it dhe Bashkia e Durrësit janë të detyruar që të informojnë qytetarët mbi kompleksin energjetik të Porto Romanos dhe pasojat e tij në mjedis, ndërkohë që në qytetin bregdetar është hedhur ideja e krijimit të aleancës për Durrësin. Këtë fakt e garanton Ministria e Mjedisit, e cila mban përgjegjësi për ndotjet në mjedis. Nga data 21-27 janar do të zhvillohen konsultimet me publikun në Durrës, Sukth, Ishëm e Manzë, duke i dhënë mundësinë qytetarëve dhe ambientalistëve të njihen me projektin dhe të reagojnë ndaj tij. Ministri Lufter Xhuveli, në përgjigje të kërkesës së qendrës së grupimit “Ekolëvizja” për dhënien e informacionit mbi investimet me qymyr në këtë zonë të kompanisë ENEL dhe zbatimin prej saj të detyrimeve ligjore në fushën e mjedisit, ka kërkuar nga kompania italiane dhe njësitë vendore të rrethit të organizojnë konsultime të gjëra me publikun veçmas në secilën prej njësive. Përveç Bashkisë së Durrësit, në tokën e së cilës do të ndërtohet një e treta e kompleksit energjetik, Xhuveli ka kërkuar që konsultimet të zhvillohen dhe në bashkitë e Sukthit, Manzës dhe Komunën e Ishmit, komunitetet e të cilave janë kufitare me zonën ku do të funksionojë TEC-i dhe preken prej ndikimeve të tij në mjedis. Me gjithë insistimin e një grupi qytetarësh dhe gazetarësh në Durrës për organizimin e një debati të hapur në këtë qytet për TEC-in dhe ndikimet e tij, bashkia nuk reagoi, ndërkohë që u desh ndërhyrja e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave që të paktën ky detyrim ligjor të plotësohet. Ministria e Mjedisit ka qenë e prerë në këtë drejtim, duke e vendosur realizimin e këtyre konsultimeve si një kusht që kompania ENEL të përfitojë shqyrtimin e lejes së saj mjedisore. Në rast se brenda tre muajve kompania nuk paraqet dokumentacionin që provon konsultimin me publikun në secilën prej njësive vendore të Durrësit, ministria ka paralajmëruar ENEL-in se dosja do të arkivohet dhe kompania duhet të nisë nga e para procedurat për pajisje me leje mjedisi. Ndryshe nga praktikat e zakonshme të kësaj kompanie në vendet e zhvilluara ku ka bërë investime, në Shqipëri ajo u mjaftua vetëm me një konsultë të hapur të zhvilluar në komunën e Katundit të Ri, ku përfaqësues të komunitetit ishin vetëm punonjës të administratës së komunës dhe militantë partiakë. Reagimet kritike mbi projektin në disa prej mediave të vendit, veçanërisht në gazetën “Shqip” bënë që ekspertët italianë të anulojnë takimin e dytë me komunitetin në Katund të Ri, ku menduan se kishin gjetur terrenin e nevojshëm për të bërë detyrimet pa u cenuar investimi. E ndërsa ministria paralajmëron ENEL-in që të zbatojë detyrimet ligjore, në tetor të vitit që sapo u mbyll, rreth një muaj pas diskutimit të hapur në Katund të Ri, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi vendimin për linjën nënujore të interkonjeksionit që do të transmetojë energjinë e prodhuar nga TEC-i i Durrësit drejt Italisë. Një moskoordinim i diskutueshëm i veprimeve mes strukturave shtetërore, qeveritare për sa i përket projektit më të madh energjetik që pritet të nisë në vendin tonë, ndërsa në marrëveshjet e bëra nuk janë përcaktuar aspak paraprakisht se ç‘do të përfitojë vendi ynë nga funksionimi i TEC-it përtej ndotjes mjedisore në ujë, ajër e tokë dhe ndikimeve në shëndetin e popullatës.
Ambientalistët
Në fund të muajit dhjetor, në qytetin bregdetar të Durrësit u mblodhën një grup ambientalistësh nga Durrësi dhe Tirana dhe qytetarësh të angazhuar në çështjet mjedisore për të diskutuar mbi situatën dhe formësuar reagimin e tyre ndaj këtij projekti. Në takim u hodh ideja e krijimit të aleancës për Durrësin, në vazhdën e një tradite të nisur nga shoqëria civile dhe ambientalistët në Vlorë.
Leave a Comment