EKON: OST PO PUNON PËR RIPARIMIN E LINJËS SË TRANSMETIMIT TE ENERGJISË VAU DEJËS-LEZHË

by on 07/01/09 at 3:59 pm

Linja e transmetimit të energjisë 220 kV Vau i Dejës-Lezhë është e vetmja që ende nuk është riparuar, pas dëmtimit që pësoi ditët e fundit nga moti i keq.
“Brigadat e riparimit të avarive të OST-së janë në terren dhe po punojnë për vënien në punë sa më shpejt të linjës Vau i Dejës-Lezhë, ku janë tetë shtylla të dëmtuara”, tha të mërkurën për median drejtori i OST-së, Ymer Balla.
Sipas tij, defekti në këtë linjë është i rëndë dhe për riparimin, nevojiten deri në dy javë, që ajo të rivihet në gjendje pune.
Drejtori i OST-së Balla u shpreh se “nga mosfunksionimi i linjës, pasojat u reflektuan gjatë mbrëmjes së  djeshme, nga qyteti i Tiranës, Laçit dhe deri në Lezhë. Meqënëse linja e Shkodrës është stakuar, e gjithë zona veriore furnizohet nga nënstacioni 220 kV i Tiranës. Për këtë arsye mbrëmjen e djeshme, ka pasur mbingarkesë në  nënstacioni i Tiranës dhe jemi detyruar të bëjmë kufizime të vogla në furnizimin me energji në kryeqytet, Laç dhe Lezhë”.
Ai theksoi se “OST po bashkëpunon me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH) që kufizimet të jenë të alternuara dhe konsumatorët mos të kenë shumë ndërpreje të energjisë elektrike”.
Lidhur me ndërprerjet e energjisë në Tiranë, drejtori i OST-së, Ymer Balla tha se “janë porositur grupet e drejtimit që të mos bëjnë manovrim me skemën, në mënyrë që hidrocentrali i Shkopetit të furnizojë me energji Veriun, ç’ka do të bëjë që kufizimet e energjisë në Tiranë të jenë mjaft të vogla. Nëse kjo nuk arrihet, kufizimet në kryeqytet do të jenë shumë të vogla, kryesisht në orët e pikut 18:00-20:00. Duke i alternuar në të gjithë qytetin, besoj se do të jenë të pandjeshme për qytetarët e Tiranës”.
Ndërsa të gjitha defektet e tjera të ndodhura në linjat e transmetimit të energjisë elektrike, si pasojë e motit të keq që përfshiu prej disa ditësh vendin tonë, janë riparuar nga brigadat e riparimit të avarive të Operatorit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, (OST).
Si pasojë e motit të keq, u dëmtuan dhe disa linja të tjera të transmetimit, si linja  Elbasan-Librazhd, por qyteti i Librazhdit, që mbeti një kohë të shkurtër pa energji, u furnizua nga qyteti i Korçës, tha Balla. Sipas tij, për shkak të defekteve në linjat nga ngricat dhe moti i keq, pati mbingarkesa dhe në linjat e tjera, ndaj  për të evituar dëmtimet e mëtejshme, pati kufizime të pjesshme të energjisë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit si dhe në jug të Shqipërisë.
“Dëmtime pati dhe në linjat 110 kV kryesisht në zonat verilindore të vendit, ku si pasojë, mbeti pa energji elektrike qyteti i Lezhës. OST organizoi brigadat e riparimit të avarive, që konstatuan në terren këputjen në përcjellësin në linjën Laç-Vau i Dejës, ç’ka shkaktoi ndërprerjen e energjisë për 10 orë”, tha mes të tjerave, Balla

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login