DURRËS – PRISHEN MURET RRETHUESE QË PENGOJNË RIKONSTRUKSIONIN E RRUGËVE
by admin on 09/01/09 at 11:12 pm
Inspektoriati ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit, nisi sot prishjen e një sërë muresh rrethuese të banesave private, të cilat pengojnë rikonstruksionin e dy rrugëve në zonën e plazhit dhe Shkozetit. Aksioni, i cili do të vazhdojë disa ditë, ka gjetur mirëkuptimin e banorëve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga ky Inspektoriat.
Mjetet e rënda dhe specialistët që u mbështetën dhe nga policia bashkiake, e shtrinë sot paradite prishjen e mureve rrethuese në të gjithë gjatësinë e tyre prej 200 metrash, në një rrugë në sektorin “Apollonia” në Plazhin e Durrësit. Rruga me gjërësi 7 metra do të rindërtohet plotësisht bashkë me sistemin e kanalizimeve, trotuarët dhe ndriçimin, bënë të ditur burimet bashkiake.
Menjëherë pas aksionit në këtë zonë mjetet do të zhvendosen në rrugën e nënstacionit të Shkozetit, rikonstruksioni i së cilës ka nisur një muaj më parë. Zgjerimi i kësaj rruge në parametrat e projektit parashikon prishjen e mureve rrethuese të ndërtuara pa leje nga 12 familje. Rruga me gjatësi 470 metra i shërbën një lagjeje ku dendësia e popullatës është mjaft e madhe, thanë burimet, sipas të cilave punimet që po kryhen nga firma SMO Union, do të përfundojnë brenda prillit të këtij viti.
Burimet bashkiake sqaruan se të dyja rrugët po rindërtohen me një fond të përgjithshëm prej mbi 22 milionë lekësh.
Leave a Comment