DURRËS: DHJETRA MIILIONË EURO INVESTIME NË PIKËTAKIMIN E TRANSPORTEVE SHQIPTARE

by Andi Bega on 11/01/09 at 1:58 pm

Durrësi lindi si një qytet-port rreth 3 000 vjet më parë dhe tani është vendi ku ‘takohen’ rrugët, hekurudha, linjat detare dhe ato ajrore ndërkombëtare. Nëse do të ndryshonim pak shprehjen e vjetër latine nuk do të bënim gabim po të thonim se ‘të gjitha rrugët të çojnë në Durrës’.
Në territorin e qarkut të Durrësit, që përmbledh edhe rrethin e Krujës, ndodhen kryqëzimet e arterieve më të rëndësishme automobilistike dhe hekurudhore që bashkojnë jugun e vendit me kryeqytetin dhe pjesën veriore. Porti më i madh detar i Shqipërisë ndodhet në Durrës dhe shumë pranë Fushë Krujës, nga aeroporti i Rinasit çdo ditë fluturojnë dhjetra avionë drejt qyteteve të mëdha të Evropës e të botës.
Qindra miliona euro investime po realizohen kohët e fundit në këtë hapësirë ku çdo vit lëvizin qindra mijë automjete dhe miliona udhëtarë shqiptarë e të huaj.

Porti detar, 15.2 milion euro për terminalin e trageteve

Gjatë 10 viteve të fundit programi i modernizimit të portit të Durrësit ka përfituar afro 100 milion USD nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga Banka Evropiane e Investimeve. Rikonstruksioni i plotë i kalatave e shesheve dhe blerja e mekanizmave dhe pajisjeve të reja kanë synuar zgjerimin dhe modernizimin e përpunimit të mallrave e veçanërisht kontejnerëve.
Gjatë vitit 2008 në portin më të madh të vendit janë përpunuar më shumë se 1200 anije dhe 1650 tragete me afro 3.7 milion ton mallra gjithsej, çka përbën thuajse dyfishin e sasisë së përpunuar në fillim të viteve 2000.
Vitin e kaluar filloi puna për ndërtimin e terminalit të ri të trageteve me një fond prej 15.2 milion euro të akorduar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve. Ky projekt, që parashikohet të përfundojë në prill të vitit 2010, do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e lëvizjes së udhëtarëve, numri i të cilëve në vitin 2008 arriti shifrën rekord prej mbi 800 mijë vetë me rreth 200 mijë automjete. Gjatë vitit të kaluar Autoriteti portual financoi gjithashtu afro 3.5 milion euro për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Aeroporti “Nënë Tereza”, në 2009 kapaciteti rritet 40 për qind

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, i vetmi aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, ndodhet në territorin e Qarkut të Durrësit. Gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas dhënies me koncesion për 20 vjet firmës shumë të njohur gjermane Hochtief AirPort GmbH, standarti i shërbimeve dhe kapaciteti i aeroportit është rritur ndjeshëm. 13 kompani fluturimi ushtrojnë veprimtarinë e tyre për 24 destinacione të ndryshme në të gjithë Evropën.
Pas një investimi disa-vjeçar prej rreth 50 milion euro, në korrik të vitit 2008 në territorin e Rinasit ka nisur zbatimi i fazës B të projektit, që parashikon rritjen me 40 për qind të kapacitetit të aeroportit “Nënë Tereza”. Financimi tejkalon shifrën prej 20 milion euro.
Aktualisht mëse 1,1 milion pasagjerë kalojnë nepër aeroport, ndërkohë që planet e ardhshme janë për ta trefishuar këtë kapacitet.

Durrësi, pikëtakimi historik i rrugëve

Nëse do të përmendësh rrugët shqiptare kudo ndodhet edhe Durrësi. Aktualisht kryefjala është rruga Durrës-Kukës-Morinë, e cila do të bashkojë shqiptarët dhe do të fuqizojë mmarëdhëniet tregtare me Ballkanin verior dhe Evropën Qendrore. Superstradat drejt Tiranës, Lushnjes dhe Pogradecit nisen nga Durrësi, në rrugët e të cilit çdo vit qarkullojnë miliona ton mallra.
Një tjetër infrastrukturë shumëplanëshe ka nisur të realizohet. “Via Egnatia” që prej shek. II të erës sonë, ka qenë ndoshta e para “autostradë”, që duke kaluar përmes Ballkanit, lidhte Durrësin me Kostandinopojën (Stambolli i sotëm). Tani njihet ndryshe edhe me emrin Korridori Pan-Evropian VIII dhe që synon të sjellë Evropën Perëndimore më afër Lindjes.
I njohur për kapacitetet e tij turistike ende të pashfrytëzuara në pjesën veriore të qarkut të Durrësit po zbatohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore: rruga Maminas-Shën Pjetër. Rruga që financohet nga qeveria shqiptare me afro 100 milion lek ka një gjatësi prej 22 km dhe do të jetë gati brenda gjysmës së parë të këtij viti.

Hekurudhat, pjesë e rrjetit evropian

Qyteti bregdetar i Durrësit është edhe nyja hekurudhore e vendit. Rrjeti hekurudhor prej 440 km i Shqipërisë është i lidhur me atë të Malit të Zi, duke u bërë kështu pjesë efektive e rrjetit hekurudhor evropian.  Infrastruktura moderne dhe gjithnjë në përmirësim e transportit është bërë tashmë një prej motorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik të Qarkut të Durrësit, duke e bërë atë tërheqës për investimet e huaja, veçanërisht për ato që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login