DURO PREZANTON KRYEINSPEKTORIN E RI TË PUNËS, THOMA MELO
by DashiC on 20/01/09 at 12:57 pm
Ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, prezantoi sot Kryeinspektorin e ri të Inspektoriatit Shtetëror të Punës (ISHP), Thoma Melo. Drejtuesi i ri i ISHP-së u emërua në këtë post përmes një urdhri të firmosur nga Kryeministri Sali Berisha, pesë ditë më parë.
Duke vlerësuar përgatitjen profesionale të Kryeinspektorit të ri, ministri Duro tha se “z. Melo u përzgjodh me konkurrim të hapur. Ai është një kuadër me eksperiencë të gjatë në menaxhimin e punës në administratë. Mbi të gjitha gjatë detyrës së mëparshme në krye të Zyrës Rajonale të Punës në Tiranë, ai ka dëshmuar përmes punës së tij aftësi dhe ndershmëri”.
Ndërkohë Duro i konsideroi spekulative deklaratat e ish-kryeinspektorit të shkarkuar, Thoma Miço, të bëra prezente në media. Sipas tij, ”deklaratat e tij mediatike kanë synuar fshehjen e arsyeve të vërteta të shkarkimit të tij nga posti i drejtuesit të ISHP-së”.
Thoma Melo ka lindur në Tiranë më 10 qershor 1967. Ai ka përfunduar Inxhinierinë Elektrike në Universitetin e Tiranës më 1990 dhe një vit më parë u diplomua si ekonomist financier në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Elbasanit.
Gjatë viteve 1998- 2006 Melo ka punuar si koordinator projektesh në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në fillim të 2008-s ka drejtuar Zyrën Rajonale të Punës në Tiranë.
Leave a Comment