Dr.IBRAHIM RUGOVA : PROTAGONIST I HISTORISË MODERNE TË KOSOVËS

by DashiC on 20/01/09 at 12:25 pm

Tre vjet më parë (21 janar), Shqipëria përjetoi me hidhërim vdekjen e parakohshme të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, prijësit të qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes dhe pavarësisë së Kosovës, mikut të madh dhe të çmuar të perëndimit në Ballkan.
Qeveria shqiptare shpalli me një vendin të posaçëm tre ditë zi kombëtare, ndërsa në momentin solemn, kur
arkivoli me trupin e të ndjerit, u vendos në banesën e fundit, u ndërpre çdo veprimtari, u mbajt një minutë heshtje, ranë boritë dhe sirenat e të gjitha mjeteve të lëvizshme në mbarë vendin, në nderim të Tij.

Presidenti i Republikës i asaj kohe, Alfred Moisiu, kryesoi delegacionin shtetëror që mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Presidentit Rugova në Prishtinë, ndërsa në përbërje të delegacionit bënin pjesë  Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarët e dy grupeve kryesore parlamentare, Bamir Topi dhe Pandeli Majko.
Qytetarët e Tiranës, organizuan homazhe në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova. Që pasditen e datës 21 janar banorë të kryeqytetit ndezën qirinj në sheshin “Skënderbej”, përballë monumentit të Heroit Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Aktivitetet artistike të institucioneve kryesore të artit dhe kulturës u shtynë deri në përfundim të ceremonisë mortore.

Rreth 400 mesazhe ngushëllimi të studentëve kosovarë, që studiojnë në Shqipëri, u mblodhën në formën e një albumi dhe iu dorëzuan ish- Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, për t’iu përcjellë më pas familjes së Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova .

Qytetarët shqiptarë bënë homazhe në selinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në kujtim të Dr. Ibrahim Rugovës.  Në Librin e Ngushëllimeve shprehën ngushëllimet e tyre për Presidentin e Kosovës personalitetet më të lartë shtetërorë, akademikë, studiues, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës shqiptare. Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të emrit dhe veprës së Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeverisës, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, etj. Seanca e jashtëzakonshme, u transmetua direkt jo vetëm nga televizionet e Tiranës, por edhe nga ato në Kosovë.
Kryeministri Berisha, u shpreh ndër shumë deklarata të dhëna gjatë atyre ditëve, se “kam bindjen më të thellë se vepra e tij e madhe, e shndërruar tashmë në një frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës, do të konkretizohet së shpejti në përputhje të plotë me idealet e tij. Humbja është shumë e madhe dhe në një kuptim është e pazëvendësueshme. Por trashëgimia e tij është po kaq e madhe dhe jam i bindur se udhëheqja politike e Kosovës, qytetarët e Kosovës kanë të gjithë vullnetin, mençurinë, përkushtimin për ta shndërruar këtë trashëgimi në një realitet pozitiv, në një realitet mbarësie dhe mirësie për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

-Dr Ibrahim Rugova ‘Gandi i Kosovës’, simbol i rrugës paqësore drejt fitores së Pavarësisë-


Dr.Ibrahim Rugova lindi në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë, më 10 janar 1945. Mbas mbarimit të shkollës fillore ai vazhdoi shkollimin e mesëm në Pejë, studimet e larta i kreu në Prishtinë, në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës. Pas diplomimit në Degën e Albanologjisë më 1971 ai vazhdoi për një vit në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Parisit studimet akademike në degën e letërsisë. Në vitin 1984 doktoroi në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë. Po këtë vit u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Si kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodh më 23 dhjetor 1989, duke kontribuar në shumë ngjarje të rëndësishme në territorin e Dardanisë, si: Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990 ), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990 ), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
Në zgjedhjet e Kuvendit, i cili përbëhej nga tri partitë kryesore të Kosovës, fitoi partia e tij, duke u zgjedhur i Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë votash. Fondacioni Paul Litzer i Danimarkës në vitin 1995 i dha Ibrahim Rugoves Çmimin për Paqe. Më 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës dhe shpallet doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII, në Paris. Në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998 ai rizgjidhet në poziten e kryetarit të republikës, dhe po në këtë vit merr Çmimin Saharov nga Parlamentit Evropian.

Gjatë luftës së Kosovës(1999)  ai qëndroi në Kosovë, ku u paraburgos së bashku me familjen e tij nga qeveria e Serbisë, e cila pas disa ditësh keqtrajtimi psiqik, i lejoi Dr. Rugovës dhe familjes së tij largimin nga Beogradi.

Në vitin 1999 shpallet qytetar nderi i qyteteve italiane:  Milanos dhe Breshias (Brescia) si dhe nga qyteti gjerman Mynster (Münster) i jepet Çmimi për Paqe. Mbas luftës kthehet në Kosovë dhe në zgjedhjet e mbajtura nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar ai përsëri zgjidhet kryetar i Kosovës.

Në vitin 2000 merr Çmimin për Paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë Manuel Carrasco i Formiguera, në Barcelonë.
Veprimtaria letrare e Ibrahim Rugovës ka qënë gjithnjë prezente para angazhimit të tij politik. Ai ishte si nismë redaktor në gazeten Bota e Re, shkroi në revisten shkencore Dituria që botoheshin në Prishtinë. Po ashtu punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe për një kohë ishte kryeredaktor i revistës së këtij instituti, Gjurmime Albanologjike.


Disa nga çmimet dhe titujt ndërkombëtarë
:Çmimi për Paqe – (1995 Fondacioni Paul Litzer në Danimarkë); Doktor Nderi – (1996 Universiteti i Parisit VIII Sorbonë, Francë);  Honourus Causa: Çmimi Saharov – (1998 Parlamentit Evropian); Çmimin për paqe – (1999 Qyteti Mynster (Münster), Gjermani); Qytetar nderi i Milanos – (1999 ); Qytetar nderi i Breshias (Brescia) – (1999 ); Çmimin për Paqe (2000 Unioni Demokratik i Katalonisë – Barcelonë, Spanjë) Manuel Carrasco i Formiguera; Çmim nderi për paqe nga qyteti i New Yorkut, SHBA (19 Nëntor )

Disa nga botimet : Prekje lirike – 1971; Kah teoria – 1971; Strategjia e kuptimit – 1980; Vepra e Bogdanit 1675-1685 – 1982; Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983; Refuzimi estetik – 1987; Kritika letrare ( bashkë me Sabri Hamitin) – 1979; Bibliografika e kritikës letrare shqiptare 44-74 (bashkë me Isak Shemen) – 1976.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login