Drejtues të institucioneve të Kosovës në një takim dje pasdite në veri të Mitrovicës
by Andi Bega on 11/01/09 at 7:45 pm
Drejtues të institucioneve të Kosovës në një takim dje pasdite në veri të Mitrovicës me përfaqësuersit e shqiptarëve u kanë premtuar se kërkesa e tyre për siguri institucionale do të realizohet.
“Kjo kërkesë juaja ka shkuar në vesh të qeverisë. Së shpejti do të merren vendime”, u ka thënë banorëve në veri kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, në takimin ku kishin shkuar ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti dhe drejtues të Policisë së Kosovës.
“Ju ende nuk po e shijoni lirinë e plotë të lëvizjes”, u ka thënë qytetarëve shqiptarë në veri ministri Pajaziti. Por, u ka premtuar se “të gjithë ata që shkelin ligjin do të dalin para drejtësisë” dhe se “nuk do të ketë vend për anarki dhe krim të organizuar”.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti ka siguruar se “do të bëhet gjithçka që të gjithë qytetarët në çdo pjesë të vendit të jenë të sigurt”.
Komandanti i Stacionit Verior të Policisë, Milija Milosheviq, i komunitetet serb, pjesëmarrës në takim, po ashtu u ka premtuar “mbrojtje për të gjithë, pa dallim, shqiptarë dhe serbë”.
Pas incidenteve në prag të festës së Vitit të Ri, kur pati dy shpërthime me të plagosur dhe djegie te dyqaneve në Lagjen e Boshnjakëve shqiptarët në veriun e dominuar nga serbët dhe strukturat e tyre paralele kanë kërkuar vendosjen e njësive speciale të policisë së Kosovës në zonat e banuara me popullatë të përzier dhe kanë bërë vetëorganizim për roje nate.
Leave a Comment