Dorëzohet Medalja e Artë e Pavarësisë akorduar Enver Malokut

by on 11/01/09 at 7:39 pm

Dorëzohet Medalja e Artë e Pavarësisë akorduar Enver Malokut, shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), në 10-vjetorin e vrasjes, sot në një ceremoni përkujtimore nën patronazhin e presidentit Fatmir Sejdiu.
“Më 23 dhjetor 2004, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova i dekoroi me Medaljen e Artë të Pavarësisë njëmbëdhjetë veprimtarë të dalluar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndër të cilët ishte edhe Enver Maloku”, kujtoi me këtë rast presidenti Sejdiu duke i dorëzuar dekoratën familjes Maloku.
Në fjalën e rastit presidenti Sejdiu shprehu “nderimin e përhershëm për Enver Malokun, publicistin dhe veprimtarin e shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jeta e të cilit u shua tinëzisht në muzgun e natës së acartë të 11 janarit 1999”.
Presidenti Sejdiu përkujtoi se Maloku “në vitin 1991 nisi të punonte në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), e cila në vend dhe në botë u njoh si Agjenci Kombëtare e Lajmeve e Kosovës”.
“Enver Maloku, me angazhimin e jashtëzakonshëm në këtë agjenci lajmesh, të cilën e drejtoi nga viti 1993 deri në ditën e ndarjes nga jeta, më 11 janar 1999, u shndërrua në një model të shkëlqyeshëm të gazetarisë aktive kombëtare, e cila, ndonëse në kushte tepër të pafavorshme, ia doli ta fitonte betejën mediatike ndaj trysnisë dhe dhunës sistematike të Beogradit zyrtar, që kishte nën kontroll të plotë një makineri të tërë të radiotelevizioneve, të agjencive të lajmeve e të gazetave të shumta”, tha Sejdiu.
Pjesë të teksteve të përmbledhura nga vepra publicistike e Enver Malokut lexoi aktori Çun Lajqi në vazhdimin e ceremonisë përkujtimore me një program artistik.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login