Dollapi: Borxhet? Nga qeveria prisja më tepër
by admin on 06/01/09 at 9:05 pm
Reshjet e dëborës, kufizimet do të vijojnë
Situata financiare aspak pozitive e OSSH ka detyruar kreun e saj, Sait Dollapi, që t‘i bëjë thirrje qeverisë për më shumë mbështetje me fonde. Ndryshe nga KESH, e cila mori 2.6 miliardë lekë për garantimin e energjisë nga importi, OSSH nuk arriti të sigurojë as 30 për qind të fondit të kërkuar për shlyerjen e borxheve të vjetra. Në konferencën e djeshme për shtyp, Dollapi deklaroi hapur se nga qeveria priste më tepër, duke qenë se situata financiare nuk paraqitet dhe aq optimiste. “Ne kërkuam nga qeveria që të na jepte rreth 2 miliardë lekë, por vendimi u mor për një fond prej 600 milionë lekësh. Pra, janë dhënë më pak se 30 për qind e detyrimit që ka shteti ndaj kompanisë”, tha Dollapi. Një pjesë e ndërmarrjeve shtetërore kanë borxhe tek OSSH për shkak të faturave të papaguara të energjisë elektrike të konsumuar ndër vite. Situata paraqitet tepër e rëndë aq sa OSSH po përgatitet të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë në mënyrë që të zbatojë si duhet planin e investimeve. Më herët, kreu i OSSH-së, Sait Dollapi, foli për situatën e krijuar nga reshjet e dëborës, të cilat sollën ndërprerje të energjisë elektrike për ditë me radhë. Madje, në disa zona në veri të vendit vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike.
Borxhet
Aktualisht, OSSH ka një nivel borxhi të pashlyer ndaj bankave të huaja prej rreth 140 milionë euro. Fondet janë marrë ndër vite, kur divizioni ishte pjesë e KESH-it, me synim përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes. Përveç këtyre huave, vetë OSSH-së i kanë borxh një sërë ndërmarrjesh shtetërore, sidomos ujësjellësit, të cilat me vite të tëra nuk po arrijnë të shlyejnë të gjitha detyrimet. I gjithë fondi i domosdoshëm për pastrimin e bilanceve të OSSH ishte rreth 2 miliardë lekë. Të paktën këtë shumë kërkuan drejtuesit e OSSH-së, por qeveria mori në konsideratë miratimin e shumës prej 600 milionë lekësh, duke lënë disi të pakënaqur ndërmarrjen që ndodhet në prag privatizimi. Megjithatë, Dollapi shtoi se, “OSSH do të marrë të gjitha masat, kundrejt të gjithë konsumatorëve, qofshin këta buxhetore dhe jobuxhetore, duke i trajtuar si abonentë privatë në marrëdhënie me OSSH”.
Kufizimet
OSSH gjatë festave të fundvitit arriti në një farë mënyrë të garantojë furnizim normal me drita, Dollapi pranoi se disa zona të vendit, përfshi edhe Tiranën nuk kanë pasur energji elektrike për shkak të reshjeve të shumta të shoqëruara me dëborë. Në 31 dhjetor janë konsumuar rreth 26 milionë kilovat/orë, më shumë se asnjëherë tjetër. Vetëm Tirana konsumoi rreth 9 milionë kilovat/orë ose 1.5 milionë kilovat/orë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërsa Durrësi ka pasur konsum rreth 3.6 milionë kilovat/orë. Konsumi i lartë dhe rrjeti i amortizuar, ndikuar edhe moti i keq kanë bërë të mundur stakimin e linjave të energjisë elektrike, duke krijuar shqetësim te konsumatorët. Dollapi pranoi se do të ketë ndërprerje të dritave, por jo për faj të OSSH, pasi masat janë marrë që në sezonin e verës me kryerjen e remonteve. Gjatë këtyre 3 ditëve, konsumi mesatar ishte 23 milionë kilovat/orë në ditë.
Zonat
Zonat më problematike kanë qenë fillimisht zonat Kukës, Has, Tropojë, zona e Mbishkodrës, e Malësisë së Madhe, një pjesë e Lurës dhe Burrelit, e Librazhdit, duke mos përjashtuar defekte të
vogla në disa komuna të Korçës dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë që kanë të bëjnë me Sarandën dhe me disa zona të tjera verilindore. “Aktualisht, mbi 95 për qind e territorit të vendit furnizohet me energji elektrike pa ndërprerje me përjashtim të një komune në Arrëz të Peshkopisë e duke u nisur nga situata e vështirë dhe kushtet e këqija të motit, të cilat nuk lejojnë punonjësit tanë që të punojnë në riparimin e defekteve. Po ashtu, të tjera zona si në Komunën Fajza të Hasit dhe në disa fshatra në Librazhd kanë pasur probleme me furnizimin e dritave”, tha Dollapi.
Leave a Comment