Dhjetori 2008, muaji më i shtrenjtë

by on 09/01/09 at 4:12 pm

Rritja më e lartë e çmimeve është shënuar te zarzavatet

Muaji dhjetor ka shënuar edhe çmimet më të larta për vitin që sapo lamë pas, 2008-ën. Përgatitjet për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ndonëse rritën sasinë e blerjeve, kanë shtuar edhe koston që ka rënduar xhepat e konsumatorit shqiptar në vigjilje të 2009-ës. INSTAT-i ka përllogaritur Indeksin e Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2008. Sipas të dhënave të këtij institucioni rezulton se ky indeks ka qenë më i lartë se sa ai i një viti më parë, duke vërtetuar se vit pas viti çmimet në vendin tonë njohin vetëm rritje. Nga të dhënat e INSTAT-it rezulton se indeksi i çmimeve të konsumit për dhjetorin 2008 arriti në 102.2% kundrejt të njëjtit muaj të vitit 2007 (dhjetor 07). Gjithashtu, krahasuar me muajin e kaluar, arrihet në përfundimin se këto çmime kanë shënuar një rritje prej 0.9%. Në krye të listës së çmimeve më të shtrenjta ka qenë grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili ka shënuar një rritje prej 2.4%, me një ndikim prej 0.9% në totalin e ndryshimit mujor.

Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 14.2% vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve, specave dhe patëllxhanëve me mbi 50%, lulelakrës me 22%, domateve me 20.6% etj. Ndërkohë që këto përbëjnë edhe produktet më të kërkuara nga amvisat për të mbushur tryezën e përditshme. Rritje e çmimit është vënë re edhe në disa lloje frutash. Specialistët e INSTAT-it konfirmojnë se “indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 7.5%. Ata përmendin në mënyrë të veçantë rritjen e çmimit të bananeve me 5.7%, të dardhave me 4.9%, të mollëve me 4.9%, si dhe kivit me 3.6%. Përjashtim kanë qenë vetëm çmimet e disa frutave të tjera, të cilat kanë pësuar ulje gjatë muajit dhjetor. Në këtë grup mund të përmenden uljet e çmimit të portokalleve me 2.8%, të limonëve me 1.6%, të mandarinave me 0.5%, etj. Gjatë muajit dhjetor, qytetarët janë përballur me çmime më të shtrenjta edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve. Mes tyre mund të përmenden rritjet në nëngrupet “peshk” me një rritje prej 0.5%, “mish” me 1.4% më shumë, “qumësht, djathë e vezë” me 0.4% më tepër, si dhe “pije joalkoolike” me një rritje prej 0.1% etj. “Indeksi i grupit ‘Pije alkoolike dhe duhan‘ shënoi një rritje prej 0.8%, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rriten me 1.6%”, pohojnë specialistët e INSTAT-it, të cilët vlerësuan tregtimin e tyre në dyqane, por jo në bare dhe restorante, vende këto ku çmimet, sidomos ditët e festive kanë shënuar rritje të mëdha. Po kështu, në listën e produkteve me çmime më të larta janë renditur edhe “veshjet e këpucët”. Këto mallra shënuan një rritje prej 0.1%. Këtu përmendet rritja e çmimit të këpucëve për fëmijë me 0.9% dhe veshjeve për të vegjlit me 0.5%. Ndryshe nga vetëm pak kohë më parë, gjatë dhjetorit, çmimi i naftës ka shënuar një ulje prej 11.6%. Po kështu ka rënë edhe kostoja e benzinës që ka shënuar një ulje prej 12.4%.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login