Dekreti për zgjedhjet, brenda 22 janarit
by admin on 05/01/09 at 8:55 pm
“Kodi” hyn në fuqi më 15 janar. Në fillim të majit, listat e kandidatëve
Ligji i ri zgjedhor i Republikës së Shqipërisë zyrtarisht është botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo e fundit mban numrin 189 dhe ka pasqyruar vendimin e Kuvendit të datës 29 dhjetor 2008. Sipas ligjit, efekti i Kodit Zgjedhor do të fillojë 15 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare. Sakaq, në dispozitat kalimtare të ligjit zgjedhor, në nenin 184, thuhet se “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi”. Në rastin e zgjedhjeve të ardhshme, dy datat e mundshme për t‘u dekretuar nga kreu i shtetit janë 21 dhe 28 qershori. Në nenin 181 thuhet se Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji ose nga shpallja e tij, sipas pikës 2 të nenit 84 të Kushtetutës, zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas nenit 14 të këtij Kodi. Betimi i tyre kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes. Jo më vonë se 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe ja dërgon menjëherë Kuvendit. Në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme, të lëshuara sipas ligjit nr.8663 datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta për jashtë shtetit”. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme sipas këtij neni. Lista e shtetasve në fjalë i dorëzohet KQZ-së. Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj, KQZ-në, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) merret nga KQZ jo më vonë se 90 ditë para ditës së zgjedhjeve. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtarët e KZAZ-së jo më vonë se 20 ditë para afatit. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së emërohen vetëm për periudhën e zgjedhjeve. Propozimet për anëtarë dhe sekretar të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë para ditës së zgjedhjeve. Jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit të organeve për të cilat zhvillohen zgjedhjet, zyrat e gjendjes civile, nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore dhe në zbatim të udhëzimeve të ministrit që mbulon pushtetin vendor, hartojnë listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të njësisë përkatëse, të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e fundit për zhvillimin e zgjedhjeve. Brenda 30 ditëve nga nxjerrja dhe dorëzimi i listave të zgjedhësve, sipas mënyrës së sipërcituar, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore bën ndarjen ose bashkimin e listës nëse janë kushtet e përcaktuara. Brenda pesë ditësh nga mbarimi i këtij afati, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore shpall listën paraprake të zgjedhësve. Brenda 30 ditëve nga shpallja e listave paraprake të zgjedhësve, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore kryen lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në listat paraprake të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. Lista përfundimtare e zgjedhësve me përbërësit e plotë i dërgohet e printuar, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve, KZAZ-ve në tre formate.
Afatet e zgjedhjeve
Më 15 janar hyn në fuqi Kodi i Ri Zgjedhor
Brenda datës 22 janar dekretohet data e zgjedhjeve
Brenda janarit zgjidhen anëtarët e rinj të KQZ-së
Në shkurt regjistri i shtetasve mbërrin në KQZ
Shpallet ligji i ndarjes së mandateve në zona zgjedhore
Në mars hartohet lista paraprake e zgjedhësve
Në mars ngrihen KZAZ-të dhe plotësohen me anëtarë
Në prill shpallet lista paraprake e zgjedhësve
Në fillim të majit zgjidhen anëtarët e KQV-ve
Në maj shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve
Leave a Comment