Bllokohen në rrugë 100 persona
by admin on 09/01/09 at 8:54 pm
Një autobus me nxënës e mësues u bllokua në Elbasan, ndërsa në Pukë e Kukës u bllokuan disa furgonë
Rreth 100 njerëz kanë mbetur të bllokuar për shkak të dëborës dje në rrethet Elbasan, Pukë dhe Kukës. Një autobus me nxënës dhe mësues dhe disa furgonë me pasagjerë kanë mbetur në mes të rrugës për orë të tëra në rrugët rurale të këtyre rretheve.
Elbasan
Mësuesit nga qyteti i Elbasanit që punojnë në Komunën e Shmilit, dje nuk kanë mundur të jenë në shkollë si çdo ditë. Autobusi me të cilin udhëtojnë ata është bllokuar nga dëbora. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Shmilit, rreth pesë kilometra larg qendrës së kësaj komune, autobusi i arsimtarëve nuk ka mundur më të lëvizë për shkak të dëborës dhe ngricës, si dhe terrenit tepër të pjerrët të kësaj rruge rurale. Bashkë me 20 mësuesit, në autobus kanë qenë mbi 15 nxënës të fshatit Qafë që vazhdojnë shkollën në Shmil. Për pesë orë me radhë autobusi ka mbetur i bllokuar dhe nxënësit dhe mësuesit kanë qëndruar në mes të të ftohtit derisa fshatarët e zonës kanë shkuar e i kanë transportuar me mjetet e tyre bujqësore. Sipas kreut të Komunës së Shmilit, Qani Xhafa, ngaqë autobusi nuk ka qenë i pajisur me zinxhirë është tërhequr me anë të një traktori. Vetëm në orën 13:00, autobusi ka mundur të lëvizë nga vendi, por jo për të shkuar drejt shkollës, pasi mësimi në atë orë mbaronte. Sipas drejtorisë arsimore të Qarkut të Elbasanit, Mimoza Matraxhiu, drejtuesit të autobusit i është dhënë paralajmërim për zgjidhjen e kontratës në rast se herë tjetër nuk merr masat për transportin pa probleme të mësuesve dhe nxënësve.
Pukë
Një ngjarje e njëjtë ka ndodhur dje paraditen edhe në rrugët rurale të Komunës Fierzë, një komunë e thellë malore e Pukës në kufi me Tropojën. Dy furgonë me rreth 13 pasagjerë kanë qëndruar në rrugë të izoluar nga ngrica dhe dëbora për rreth gjashtë orë. Furgonëve me pasagjerë të moshave të ndryshme u është dashur të qëndrojnë në rrugë në një temperaturë -10 gradë Celsius, të rrethuar nga dëbora dhe ngrica. Pasi është marrë informacion mbi gjendjen e pasagjerëve në fjalë, drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar disa forca të policisë rrugore dhe mjete borëpastruese. Sipas policisë së Shkodrës, situata është vënë nën kontroll dhe brenda një kohe të shkurtër është bërë e mundur dhe hapja e rrugës.
Kukës
Ndërkohë, rreth 60 persona që udhëtonin me furgonë pasagjerësh kanë mbetur të bllokuar dje pasdite në një rrugë rurale të Komunës Bushtricë në rrethin e Kukësit. Autoritetet lokale atje thanë se u njoftuan me telefon për bllokimin e disa furgonëve dhe kanë nisur menjëherë përpjekjet për t‘u shkuar në ndihmë njerëzve të bllokuar, mes të cilëve kishte edhe gra e fëmijë. Për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe rënies së errësirës, autoritetet kanë vendosur të evakuojnë pasagjerët dhe të merren më vonë me zhbllokimin e rrugës. Mësohet se rreth 60 personat e bllokuar në rrugë janë shpërndarë në shtëpitë e fshatarëve të zonës për të kaluar natën.
Leave a Comment