BIZNESI I PESHKIMIT DREJT STANDARDEVE HACCP DHE ISO
by DashiC on 20/01/09 at 12:11 pm
Çertifikimi i Produkteve të Sektorit të Peshkimit dhe atij Ushqimor” është një nga projektet e reja, në të cilin është angazhuar edhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, duke i paraprirë stadit të ri në të cilin po hyn sipërmarrja vendase në kushtet e hapjes së tregut në rajon dhe më gjerë.
Burime zyrtare të BDHTI bënë të ditur për ATSH-në se projekti “Çertifikimi i Produkteve të Sektorit të Peshkimit dhe atij Ushqimor” po zbatohet prej disa muajsh në ndërmarrjet shqiptare të sektorit të peshkimit dhe ato ushqimore, duke synuar ambientimin me standardet HACCP dhe ISO, të domosdoshme për garantimin e cilësisë së produkteve, pasi duke filluar nga viti 2009, ky standard do të jetë i detyrueshëm me ligj për të gjitha produktet ushqimore”.
Sipas tyre, janë 20 kompani shqiptare dhe individë nga Tirana, Durrësi, Lezha, Vlora, Korça, Berati, Dibra, Kukësi, etj, që po monitorohen dhe asistohen falë këtij projekti.
Nëpërmjet këtij projekti synohet formimi i personelit teknik dhe menaxherial lokal për futjen në kompani të instrumentave për të aplikuar në sigurimin e garancisë për cilësinë e produkteve ushqimore. Po kështu, synohet organizimi i iniciativës së bashkëpunimit prodhues dhe tregtar, si dhe mbështetja e performimit të kompanive mbi modelin evropian, etj.
Kompanitë dhe individët që po trajnohen i janë nënshtruar disa testimeve nga ekspertë italianë të fushës. Faza e parë, trajnimi dhe testimi, tashmë i ka lënë vendin fazës së dytë, që ka të bëjë me zbritjen në terren, janë realizuar një sërë vizitash të ekspertëve nga CDQ ITALIA srl në mjediset e firmave pjesëmarrëse në këtë projekt.
Gjatë kësaj faze, konsulentët italianë po marrin të dhëna për plotësimin e manualit të prodhimit dhe sqarojnë përgjegjësit e firmave në lidhje me repartet, departamentet apo sektorët që kanë nevojë për përmirësim.
Aktualisht, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe ekspertët e CDQ Italia përgatiten që protagonistët e këtij projekti të përfshihen në fazën përfundimtare, që ka të bëjë me konkretizimin e proçesit të çertifikimit, me ngritjen e strukturave efikase si dhe me gjithë infrastrukturën e domosdoshme, në mënyrë që ndërmarrjet dhe individët e përfshirë në këtë industri, të përballen me sukses në tregun rajonal dhe më gjerë.
Ekspertë të këtij institucioni, si dhe nga CDQ ITALIA srl, një shoqëri e pavarur, krijuar që nga viti 2001, tashmë lider në aktivitetin e çertifikimit, po ndjekin hap pas hapi fazat e realizimit të këtij projekti. Në këtë drejtim po kontribuojnë gjithashtu edhe disa institucione të rëndësishme italiane, si Federata Kombëtare e Peshkimit, Federata Kombëtare e Fermave, etj.
Ndërkaq, edhe ICE (Instituti Italian për Tregtinë me Jashtë) po jep një kontribut të rëndësishëm në realizimin e Projektit për Çertifikimin e Produkteve të Sektorit të Peshkimit dhe atij Ushqimor. Ndërsa shumë shpejt pritet që projekti do të ofrojë edhe standardin ISO.
Leave a Comment