Bizneset ankohen te Sefgjini për sjelljen e tatimorëve
by admin on 09/01/09 at 4:38 pm
Kreu i Tatimeve, takim me Dhomën Amerikane. Subjektet do të njoftohen për datën e apelimit
Bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë gjetur rastin që të paraqesin pranë kreut të Tatimeve, Arben Sefgjini, një sërë ankesash rreth sjelljes së inspektorëve tatimorë, në drejtim të zbatimit të ligjit. Ka shërbyer një takim i organizuar dje nga “AmCham”, në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë, që bizneset t‘i drejtonin disa pyetje kreut të Tatimeve dhe stafit të tij, rreth rimbursimit të TVSH-së, apelimeve të gjobave, vetëvlerësimit të tatimorëve, etj. Drejtori i Tatimeve Sefgjini i ka kujtuar biznesmenëve pjesëmarrës se me ligjin e ri tashmë nuk do t‘ju duhet të takohen me inspektorin për të deklaruar të ardhurat, por do t‘i deklarojnë vetë dhe do t‘i dorëzojnë në mënyrë elektronike. “Ata që do të kontrollohen mbi bazën e metodave të riskut duhet t‘i tregojnë inspektorit librat kontabël që në fakt, me ligjin e ri, nuk do t‘ju duhet t‘i çojnë më në zyrën e Tatimeve”, u shpreh Sefgjini. Ndërsa ristrukturimi i sistemit tatimor ka sjellë disa lehtësira, duket se biznesi vazhdon të hasë në pengesa për të cilat nuk gjen përgjigje as te ligji e as tek inspektori. Drejtuesit e Dhomës Amerikane janë munduar të vendosin theksin në atë çka i shqetëson më shumë dhe kjo është jo ligji, por mënyra e zbatimit të tij. “Ne kemi folur shumë për ligjin dhe disa nga problemet e biznesit nuk vijnë nga ligji, por nga mënyra se si ai zbatohet nga inspektorët, ose më keq akoma nga mosnjohja e mirë e ligjit prej vetë tatimorëve”, u shpreh Floreta Luli Faber. Kështu biznesi është mjaft i shqetësuar nëse pas marsit kur do të dorëzohen bilancet e reja kontabël dhe pasqyrat e reja financiare, një mosnjohje e mirë e tyre, vonesa të shkaktuara nga mungesa e informacionit, më keq akoma një mostrajnim i mirë i inspektorëve me këto ndryshime, mund të shoqërohet me një valë gjobash që do të rëndojë drejtpërdrejt në kostot e biznesit, aq më tepër që me ligjin e ri ata nuk mund të kenë garanci bankare, por ju duhet të paguajnë me kesh në dorë, tha Faber,
Stafi teknik i Sefgjinit ka sqaruar se rimbursimi do të kryhet me ligj çka do të thotë 30 ditë kalendarike pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Por ka pasur biznese në sallë që kishin dhjetë muaj që nuk e kishin marrë rimbursimin, edhe pse iu ishte bërë kontrolli financiar pas deklarimit të TVSH-së. Problemi i deklarimit të list-pagesave, të deklarimit të punonjëse të rinj apo atyre që janë larguar, të deklarimit të sigurimeve shoqërore, të gjitha shoqërohen me gjoba në rast se nuk bëhet deklarimi brenda 48 orëve. Punonjësi i Tatimeve, Erion Prifti, deklaroi se ky është një problem i njohur nga Drejtoria e Tatimeve dhe po punohet me intensitet për t‘i dhënë zgjidhje të paktën brenda tremujorit të parë të këtij viti.
“Gjatë ushtrimit të biznesit dalin rrethana që ligji nuk i ka parashikuar dhe është detyrë e tatimorëve të bëjnë interpretimin e tij në mënyrë që biznesi të dijë si të operojë. Por përgjigjet më të zakonshme të tatimorëve janë “referojuni ligjit”, është shprehur një biznesmen. Përgjigjja e Sefgjinit ishte se “do të shikohen me përparësi ato raste ku janë të përcaktuara dhe rrethanat konkrete ku ka me të vërtetë nevojë për interpretim, në mënyrë që të mos shkaktojnë vonesa apo paqartësi”. Nga biznesi është diskutuar edhe mbi vonesat në kthimin e tatim fitimit që është paguar mbi normën. Duke folur mbi problematikat e apelimit të gjobës, Sefgjini tha se do të merren të gjitha masat që për çdo ankimim të caktohet një orar takimi dhe shqyrtimi, por kjo nuk do të thotë se atë ditë do të jepet edhe vendimi.
Leave a Comment