Bien kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës
by admin on 09/01/09 at 9:44 pm
Topi nis vizitën zyrtare me shpalljen e një “mini-Shengeni”
Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur krijimin e një zone të përbashkët Shengen, që do të favorizojë lëvizjen e lirë dhe të shpeshtë, të mallrave, kapitaleve dhe qytetarëve të thjeshtë.
Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka diskutuar këtë marrëveshje me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, e cila do te simbolizojë rënien e kufijve mes dy shteteve shqiptare në Ballkan. Pas takimit, Topi e Sejdiu konfirmuan se vizitat e shpeshta të nivelit të lartë dëshmojnë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Këtij aspekti të rëndësishëm politik, u shtohen edhe masat konkrete në favor të lëvizjes së lirë dhe të shpeshtë edhe të qytetarëve të thjeshtë. Për këtë, në tremujorin e parë të këtij viti do të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe. “Një marrëveshje e ndërtuar me hollësi, do t‘u japë mundësi qytetarëve që të lëvizin pa pengesë dhe do t‘u krijojë komoditetin e lehtësive të procedurave administrative”, u shpreh Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Homologu i tij, Fatmir Sejdiu, theksoi se “marrëveshja mund të jetë shembull për Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje mund të vihej në jetë edhe ideja e tij e kahershme për ndërtimin e një zone ‘mini-Shengen”, në Evropën Juglindore. Por a mund të pasohej ky Shengen me një treg të përbashkët, ku do të lëviznin lirisht jo vetëm qytetarët, por edhe mallrat, shërbimet dhe kapitalet? Për Kryeministrin Hashim Thaçi, simbolika e integrimit ka një ngjyrim më evropian. “Duhet të investojmë që të ecim përpara dhe duhet të arrijmë standardet evropiane”, u shpreh Thaçi. Qeveria “Thaçi” përballet aktualisht me një sërë problemesh që shkojnë që nga siguria e përditshme në veri të vendit e deri te njohja e mëtejshme e pavarësisë. Presidenti Topi e siguroi Presidentin Sejdiu edhe Kryeministrin Thaçi për lobimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke u shprehur optimist për një njohje në bllok nga vendet e organizatës islamike. Duke u ndalur te çështja e pavarësisë, Presidenti Topi theksoi se “pavarësia e Kosovës erdhi ashtu siç vjen një lajm i shumëpritur, ashtu siç vjen një ditë e madhe, ashtu siç vjen një festë e bukur, ashtu siç vjen një rilindje”. Sipas kreut të shtetit shqiptar, historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë një ëndërr shekullore të një populli të shtypur, ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime, ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.
Topi bën thirrje për braktisjen e praktikave nacionaliste në Ballkan
Presidenti shqiptar: Beogradi, nxitës
i incidenteve në Mitrovicë e Preshevë
Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka akuzuar Beogradin si nxitës të incidenteve në veri të Kosovës, si dhe në Luginën e Preshevës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është pritur me nderime shumë të veçanta nga institucionet e Kosovës, gjatë vizitës së tij, që nisi ditën e djeshme dhe do të vazhdojë edhe sot. Presidenti Topi, përveç takimeve me homologun e tij, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin Thaçi, ku i janë rezervuar ceremoni të posaçme, ka mbajtur një fjalim të posaçëm edhe në Parlamentin e Kosovës. Presidenti Topi tha dje në Prishtinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte fillimi kurse tani lufta dhe sfida kryesore është ndërtimi i paqes. Kreu i shtetit shqiptar, deklaroi se “gjatë këtij viti Kosova do të njihej edhe nga vende të tjera, ndërsa incidentet e fundit në Mitrovicë tha se kanë prapavijë ultranacionaliste serbe”. Në vizitën e tij të parë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, Topi u prit me ceremoni shtetërore. Mbështetja e pa rezervë dhe thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, ishte porosia kryesore që ka sjellë dje në Prishtinë, kreu i shtetit shqiptar. Në krye të delegacionit të nivelit të lartë të shtetit shqiptar, Topi ka siguruar lidershipin e Kosovës se Prishtina dhe Tirana do të vazhdojnë të koordinojnë dhe forcojnë lidhjet e veçanta në rrugën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian, pasi siç tha, Brukseli është qëllimi kryesor si i Tiranës ashtu edhe i Prishtinës. Presidenti
Topi tha se gjatë këtij viti për Kosovën do të ketë njohje të reja, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë me angazhimin e diplomacisë së saj në këtë drejtim, sidomos te vendet islamike dhe ato të Amerikës Latine. Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me ftesë të të cilit u realizua kjo vizitë, shprehu bindjen për vazhdimin e procesit të njohjeve për Kosovën dhe u zotua për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit duke filluar nga Kosova e Shqipëria. Ai tha se brenda tre muajve mund të pritet nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për qarkullimin e lirë të qytetarëve, si fillim për realizimin e asaj që ai e cilësoi minishengen për Evropën Juglindore. Kjo vizitë zhvillohet në ditët e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe duke komentuar incidentet atje, Presidenti Bamir Topi, tha se Shqipëria është pjesë e denoncimit të këtyre ndërmarrjeve negative me prapavijë të qarqeve ultranacionaliste serbe. Ai bëri thirrje për respektim të të drejtave të pakicave, përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga Serbia. Kreu i shtetit shqiptar, u shpreh i bindur se tha se shumë shpejt, Kosova do të jetë e pavarur në të gjitha drejtimet dhe e aftë të administrojë vetë në gjithë territorin e saj. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi, tha se qeveria e Kosovës bashkërisht me autoritetet tjera ndërkombëtare, është duke vazhduar së ushtruari autoritetin e vet edhe në këtë pjesë të territorit.
Leave a Comment