Berisha, vizitë me helikopter në Kukës dhe Dibër
by admin on 10/01/09 at 4:24 pm
Kryeministri: Fonde shtesë për zonat e prekura nga bora
Kryeministri Sali Berisha ka “sfiduar” motin e keq, duke zhvilluar dje një vizitë të papritur në Kukës dhe Peshkopi. Situata e rëndë në këto vende, e cila ka ardhur si pasojë e motit të keq, ka qenë edhe motivi kryesor i vizitës së Kryeministrit. Kryeministri u kërkoi strukturave shtetërore që të jenë të mobilizuara për të përballuar situatat që mund të paraqiten. “Duhen bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar lidhjen e komunave me rrugët nacionale, veçanërisht për të përballuar rastet emergjente në shëndetësi”, tha Berisha. “Ne kemi një flotilje helikopterësh, por jo në çdo rast mund të ngrihen, ndaj duhet një organizim që transporti i të sëmurëve të kryhet edhe me çdo mjet të mundshëm”, u kërkoi ai drejtuesve lokalë. Kryeministri Berisha tha se Shtabi Qendror i Emergjencave Civile do t‘i mbështesë me fonde shtesë për shpenzimet që po kryhen gjatë kësaj periudhe, duke u kërkuar mbajtjen e gjendjes së emergjencës. Kryeministri bëri të ditur se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. “Gjatë 3 viteve kemi shpenzuar vetëm për rrjetin elektrik 600 milionë dollarë, kemi rezerva ujore të mjaftueshme, ndërsa brenda dy vjetëve do të fusim në prodhim burime të reja të energjisë elektrike”, theksoi ai. Po kështu, kreu i qeverisë kreu edhe një vizitë në spitalet e dy qyteteve të Kukësit e Peshkopisë dhe gjithashtu kreu edhe takime me kryetarët e bashkive e komunave, duke marrë informacion për situatën pas reshjeve të mëdha të dëborës në ditët e fundit.
Leave a Comment