Berisha: Rama buxhet-rrëzuar, të jap dorëheqje
by Mimoza A on 14/01/09 at 2:27 pm
Kryeministri Sali Berisha sulmoi sot në mbledhjen e qeverisë kryetarin e Bashkisë së Tiranës njëkohësisht kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, dhe e ftoi të japë dorëheqjen pas rrëzimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për 2009.
“Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë, pas rrëzimit të projektbuxhetit të vitit 2009 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës”.
Kreu i qeverisë komentoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shtoi se “nëse do të më ishte rrëzuar buxheti i qeverisë që unë drejtoj, do të kisha dhënë dorëheqjen”.
“Nuk di të ketë në planet, një buxhet-rrëzuar që nuk gjen përgjegjësinë qytetare të japë dorëheqjen, përveç njërit. Por kjo është çështje e takimeve të tjera me median. Unë vetë do të kisha dhënë dorëheqjen”, theksoi Berisha.
Dy ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës rrëzoi për të dytën herë radhazi, projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Projektbuxheti u rrëzua nga votat e këshilltarëve demokratë dhe abstenimin e këshilltarëve të LSI-së, të cilët e konsideruan atë “të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin”.
Më parë, ky projektbuxhet ishte rrëzuar gjatë votimit në mbledhjen e datës 19 dhjetor 2008.
Leave a Comment