BARACK OBAMA, PRESIDENTI I 44-t I SHBA-së

by DashiC on 20/01/09 at 12:30 pm

Barack Obama do të bëjë sot betimin si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më poshtë vijojnë disa hollësi për biografinë e afroamerikanit të parë që do të mbajë postin më të lartë në vend:

MOSHA: 47 vjeç

DITËLINDJA: 4 gusht 1961

VENDLINDJA: Honolulu, Havai

ARSIMI: Universiteti i Kolumbias; Shkolla e Drejtësisë e Harvardit

BASHKËSHORTJA: Michelle Robinson

FËMIJË: Dy vajza, Malia 10-vjeç dhe Sasha 7-vjeç

BESIMI FETAR: Kisha e bashkuar e Krishtit

PARTIA: Demokrat

FAMILJA: Barack Obama ka lindur në Havai nga një baba kenian dhe një nënë e bardhë amerikane. Babai i tij, Barack Obama Sr, u martua me nënën e tij, Ann Dunham, ndërsa ishte student në Universitetin e Havait. Çifti u nda dy vjet pas lindjes së Obamës. Babai i tij u kthye përfundimisht në Kenia, ku u bë një ekonomist me emër. Ai vdiq në një aksident me makinë në vitin 1982.
Martesa e dytë e nënës së Obamës ishte me një indonezian të quajtur Lolo Soetoro. Familja u shpërngul në Indonezi dhe Obama qëndroi atje deri në moshën dhjetë vjeç, ndërsa më pas u shpërngul sërish në Havai dhe jetoi me gjyshërit e tij, ndërkohë që kishte fituar një bursë në Akademinë e elitës Punahou.
Ai ka shtatë vëllezër dhe motra nga martesat e tjera të babait në Kenia, dhe një motër nga martesa e dytë e nënës,  Maya Soetoro-Ng, mësuese në Havai.

KARRIERA: Pasi përfundoi kolegjin në vitin 1983, Obama punoi për një organizatë këshillimore financiare në Nju Jork. Ai gjeti punë në Çikago në vitin 1985 si organizator për Projektet e Zhvillimit të Komuniteteve, një grup me bazë kishën që kërkonte të përmirësonte kushtet e jetesës për periferitë e varfra.
Pas tri vjetësh, Obama shkoi në Shkollën e Drejtësisë së Harvardit, ku u bë presidenti i parë me ngjyrë i revistës ligjore. Ai punoi si ortak sezonal gjatë kohës së verës në Firmën ligjore Austin Sidley të Çikagos, ku u takua edhe me bashkëshorten e tij të ardhshme. Pas diplomimit  në Harvard në vitin 1991, Obama ka ushtruar të drejtat ligjore civile në një firmë të vogël në Çikago, dhe më pas u bë lektor për të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Çikagos në vitin 1993.

KARRIERA POLITIKE: Obama fitoi një vend në Senatin e Shtetit të Ilinoisit në vitin 1996. Gjatë legjislaturës ai punoi për legjislacionin mbi etikën dhe mirëqenien, si dhe për një masë që kërkonte regjistrimin elektronik të seancave pyetëse nga policia dhe rrëfimet në rastet e hetimeve për vrasje.
Obama fitoi një vend mjaft të kontestuar në Senatin e SHBA-së në vitin 2004, duke fituar 53 për qind të votave paraprake demokrate në një garë me tetë kandidatë. Më pas fitoi fare lehtësisht  në zgjedhjet e përgjithshme. Në Senat ai ka hartuar një relacion për votimin liberal, por ka qenë një nga demokratët e paktë që mbështeti masën për frenimin e padive kundër vetë të zgjedhurve. Ai kundërshtoi caktimin e kryegjykatësit John Robert  dhe gjykatësit Samuel Alito në Gjykatën e Lartë.
Gazeta e pavarur ”National Journal” e renditi Obamën si anëtarin më liberal të Senatit amerikan në fillim të këtij viti, bazuar mbi të dhënat e votimeve të tij në 2007. Ai i u rendit i dhjeti  në radhën e më liberalëve në 2006 dhe i gjashtëmbëdhjeti në 2005.

FUSHATA PRESIDENCIALE: Obama e shpalli kandidaturën e tij për president më 10 shkurt të vitit 2007. Megjithëse senatorja e Nju Jorkut, Hillary Clinton konsiderohej fillimisht si kandidatja kryesore për të fituar zgjedhjet paraprake në radhët e demokratëve, Obama tregoi  një aftësi për të mbledhur një sasi të madhe fondesh dhe për të bërë për vete një numër rekord njerëzish, të cilët ishin të tërhequr nga aftësitë e tij retorike dhe kundërshtimi e tij ndaj luftës në Irak.
Obama fitoi garën e parë në zgjedhjet paraprake të demokratëve në Iowa në janar të vitit 2008, por nuk u emërua si kandidat i demokratëve për president deri në momentin kur votuan shtetet e fundit në qershor. Gjatë betejës zgjedhore me Clintonin, Obama u detyrua të shpjegonte një koment lidhur me votuesit në zonat rurale dhe e distancoi veten nga komentet nxitëse të një ish-predikuesi. Fushata e tij krijoi mënyra të reja për të mobilizuar votuesit nëpërmjet internetit.
Pasi pranoi emërimin si kandidat demokrat për president në gusht në Denver, Obama u përball me republikanin John McCain në zgjedhjet e përgjithshme. McCaini kryesoi fillimisht në sondazhe pasi zgjodhi guvernatoren e Alaskës, Sarah Palin si kandidate të tij për zëvendëspresidente, por përkrahja për të ra në mes të rritjes së shqetësimeve lidhur me ekonominë dhe përvojën e Palinit.
Obama fitoi me 53 për qind të votave popullore në ditën e zgjedhjeve, 4 nëntor.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login