Banka Boterore: Kujdes nga kriza
by Mimoza A on 11/01/09 at 9:06 am
Banka Botërore paralajmëron prekjen e Shqipërisë nga kriza e rëndë globale financiare. Përfaqësuesja e këtij institucioni në Tiranë, Camille Nuamah, në një prononcim dhënë dje për agjencinë e lajmeve ekonomike, ‘Emportal’, ka sugjeruar kësisoj një sërë masash për qeverinë shqiptare. Mes të tjerash, ajo ka veçuar dy sugjerime konkrete, respektivisht forcimin e politikave të duhura fiskale si dhe mbështetje më të madhe buxhetore ndaj shtresave të varfra. “Ne e kemi thënë me kohë, që Shqipëria do të përfshihet nga ndikimet negative të krizës globale, por ajo që nuk dimë me saktësi janë sektorët që do të preken dhe kohëzgjatja e kësaj situate, ndaj edhe qeveria shqiptare duhet të forcojë politikat fiskale për përballimin e kësaj situate”, – apelon Nuamah. Brenda të njëjtit kontekst, ajo sqaron se “të parët që do ta ndiejnë krizën globale financiare do të jenë të varfrit. Shenjat e para kanë filluar. Ne pamë rënien e dërgesave nga emigrantët, të konsumit dhe të eksportit”, – shprehet përfaqësuesja e Bankës Botërore.
FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtare ka rrëzuar deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha për rritje ekonomike dyshifrore. Sipas këtij institucioni, gjatë viti 2008, rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë 6 për qind. Përfaqësuesja e FMN-së në vendin tonë, An Margret Westin, ka dhënë qëndrimin zyrtar të këtij institucioni në debatin e hapur mes kreut të qeverisë Berisha dhe ministrit të Financave, Bode për rritje ekonomike. Një parashikim që nuk mbështet asnjë nga shifrat e dhëna nga përfaqësuesit e kabinetit qeveritar, por gjithsesi qëndron më afër statistikës së deklaruar nga ministri Bode. Deklaratat për rritjen ekonomike u bënë pas nënshkrimit të letrës së mirëkuptimit në përfundim të programit 3-vjeçar të Shqipërisë me FMN-në. Përfaqësuesja e FMN-së ka shpjeguar se shifra prej 9.9 për qind e nxjerrë nga INSTAT-i mbetet e ndryshueshme, edhe për faktin se ky tregues matet për herë të parë nga ky institucion. “Ne jemi të kënaqur për nxjerrjen e të dhënave nga INSTAT-i, që tregojnë për rritje ekonomike rreth 10 për qind deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2008. Por, treguesit 3-mujorë të GDP-së bazohen në disa tregues më të ngushtë se ata me të cilët matet GDP-ja vjetore. Këto të dhëna janë të luhatshme dhe të ndryshueshme, edhe për faktin se maten për herë të parë nga INSTAT-i. Mënyra sesi është matur GDP-ja reflekton edhe formalizimin e ekonomisë. Por kjo, edhe pse është pozitive, nuk reflekton rritje ekonomike në vetvete. Prandaj, FMN-ja për vitin 2008 mban parashikimin e vet prej 6 për qind”, – ka deklaruar Westin.
Leave a Comment