Bamir Topi: Do të inkurajoj kthimin legjitim të pronës

by Andi Bega on 12/01/09 at 4:23 pm

Bamir Topi: Do të inkurajoj kthimin legjitim të pronës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, siguroi të hënën se do të vazhdojë të inkurajojë institucionet për kthimin legjitim të pronës.
Gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave me përfaqësues të shoqatave të ish-pronarëve, Presidenti Topi, pasi dëgjoi vërejtjet dhe kritikat e tyre për moszbatimin e ligjit aktual “Për kthimin e pronave”, e konsideroi këtë çështje ”një problem madhor në një vend të vogël”.
“E quaj të papranueshëm faktin, që pas 18 vjetësh, në një vend ku sasia e tokës është relativisht e vogël dhe nuk bëhet fjalë për territore të pafundme, të mos zgjidhet problemi i pronës”, u shpreh Kreu i shtetit.
Duke pranuar abuzimet dhe korrupsionin në çështjet e pronësisë, ai e konsideroi takimin me ish-pronarët si “një moment shumë të rëndësishëm për t’i dhënë fund çështjes së tranzicionit tek pronësia. Kemi problem me vendimet e gjykatave që shkojnë në Strasburg dhe objeksionet që ato kanë hedhur për çështjet e pronave në Shqipëri”.
Lidhur me kërkesën e ish-pronarëve për një ligj të ri “Për kthimin e pronave” Topi e cilësoi “një çështje që nuk ka të bëjë me institucionin e Presidentit, por me vullnetin e partive që krijojnë maxhorancën në parlament, të cilat mund ta shohin të arësyeshme të bëjnë një ligj tjetër”.
Presidenti e vlerësoi të papranueshme që problemi i pronës të mos trajtohet në një linjë të pastër e të sinqertë nga të gjithë njësoj. “Por, është akoma më e papranueshme, që njerëz të cilët i kanë zgjatur shumë duart në pronat  shtetërore dhe të të tjerëve, flasin për parimet dhe për legjitimitetin e pronës, kjo është paradoks i vërtetë”, u shpreh Kreu i shtetit.
“Çështja e pronës është analoge me çështjen e ‘dosjeve’ të lustracionit. Shumë njerëz janë persekutuar gjatë regjimit komunist edhe për pronat e tyre dhe merrej në konsideratë fakti që ata që kanë pasur më shumë prona janë persekutuar më shumë. Akoma kjo psikologji vazhdon të projektohet fatkeqësisht edhe në vitin 2009, kur bëhet fjalë për interesa, për prona. Se kush ka më shumë prona ka mundësi të bëjë dhe më shumë politikë. Por, më e papranueshmja është kur deformohet realiteti, kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash sjellin nën akuzë kontigjentin e njerëzve që janë më të ndershëm”, u shpreh Presidenti i Republikës.
“Njerëz që kanë qënë të lidhur me një mijë mënyra me regjimin komunist ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t’i kthehet morali. Gjashtë muaj është sulmuar Presidenti për çështjen e një dekorate, që nuk kishte të bënte me vullnetin e Presidentit, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer, i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë, një procedurë e anulluar, e kthyer dhe sot fatmirësisht karshi kësaj çështje jemi totalisht të pastër”, tha z. Topi.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

One Comment

Donald

Jan 12th, 2009

Pronat ne Shqiperi jane ber problem per ecjen perpare te ekonomis. Ky eshte nje problem qe do te zgjas shume kohe dhe do pengoj rritjen ekonomike te shpejte si dhe investimet e huaja ne Shqiperi.

Leave a Comment

Login