Aksioni i Policisë “Mesfushori1″, arrestohen 4 persona ne Elbasan
by Andi Bega on 11/01/09 at 12:44 pm
Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, përfunduan të shtunën në mbrëmje me sukses operacionin e koduar “Mesfushori 1″ për arrestimin e shtetasve Gjergji Gjika, 29 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Thanas Bebi, 40 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Mikel Dima, 38 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Bexhet Hidri, 40 vjeç, lindur e banues në Elbasan, taksist.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, vepër penale e parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale shtetasit Mikel Dima dhe Bexhet Hidri janë ndaluar në aksin rrugor Librazhd- Elbasan, duke transportuar me dy automjete rreth 4 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, që mendohet se vinte nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar.
Ndërkohë, dy bashkëpuntorët e tjerë të këtij grupi, shtetasit Gjergji Gjika dhe Thanas Bebi, u arrestuan në flagrancë në një magazinë në Elbasan. Magazina ishte kthyer në një laborator ku përzjehej lënda narkotike për t’u shpërndarë në tregun vendas. Në këtë magazinë janë sekuestruar 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe pajisje të tjera të përzierjes së lëndës narkotike.
Materialet proceduriale për të arrestuarit e mësipërm i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.
Leave a Comment