100 VJETORI I KONGRESIT TË MANASTIRIT NË NJË EKSPOZITË TEMATIKE

by on 09/01/09 at 10:16 pm

“100 vjetori i Kongresit të Manastirit” (14-22 nëntor 1908), ishte ekspozita tematike e çelur të premten në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, e ideuar nën kujdesin e historianit kosovar Mehmet Gjoshaj, në bashkëpunim me autorë dhe historianë të tjerë të këtij institucioni.
Ekspozita, e realizuar një vit më parë në mjediset e Muzeut të Kosovës (Prishtinë), pasqyroi në disa stenda fotografi dhe materiale kërkimore të bazuara në literaturën historiografike, publicistike, dokumenta arkiv në biblioteka dhe institucione private të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë.
Në një prononcim për ATSH-në Gjoshaj tha se “ekspozita e hapur sot trajton ngjarjen madhore të Kongresit të Manastirit dhe ngjarjet kryesore që paraprinë unifikimin e alfabetit të parë të gjuhës shqipe.”
“Nëpërmjet kësaj ekspozite ne përkujtojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe historisë sonë kombëtare, dijetarët dhe delegatët që krijuan a, b, c, e parë shqipe”, theksoi ai.
Në stendat e ekspozuara në këtë muze gjenden fotografi dhe dokumenta arkivi, ngjarjet e pasqyruara në rend kronologjik, duke filluar nga shtrirja gjeografike e Ilirëve dhe pasardhësve të tyre shqiptarë, shqiptarët në kohën e pushtimit osman, dëshmi të shkrimit të gjuhës së parë shqipe, Lidhja e Prizrenit, etj.
Midis tyre spikat ngjarja më e rëndësishme mbajtja e Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe (Kongresi i Manastirit) iniciativë e 26 klubeve dhe shoqatave atdhetare në shumë qytete dhe krahina, që u pasua me themelimin e shkollave të para në gjuhën shqipe. Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit u mblodh më
14 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit dhe kishte si qëllim, njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në të ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, por dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Pas diskutimesh, parimisht u pranua nga të gjithë se alfabeti i shqipes duhet të mbështetej në alfabetin latin.
Ekspozita tematike muzeore do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar për gjatë 10 ditëve.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login