“Obama” i Roterdamit
by Mimoza A on 13/01/09 at 12:03 pm
“Unë kam qenë gjithmonë i pari, dhe si ushtar në front nuk e ke gjithmonë të lehtë. Unë kam qenë emigranti i parë nga Maroku, i cili studioi teknikën e qarkullimit ajror. Unë kam qenë i pari që u bë zëdhënës i shtypit, unë kam qenë i pari drejtues departamenti në Bashkinë e Amsterdamit dhe i pari emigrant mysliman që u bë sekretar shteti në Hagë.” Kështu është shprehur Ahmed Abutaleb.
Tanimë ai është kryetari i parë mysliman i një bashkie në Holandë: Ahmed Abutaleb, 47 vjeç, bir i një imami nga malësia Rif në Marok. Në moshën 14-vjeçare ai erdhi në Holandë – dhe bëri një karrierë ideale si emigrant model. Pika kulmore e deritashme: një i ashtuquajtur komision i besimit në Këshillin e Qytetit të Roterdamit e emëroi Abutalebin kryetar bashkie. Një element, të cilin shumë vetë në botën e jashtme nuk e dinë: një kryetar bashkie në Holandë, me gjithë disa përpjekje pa fryte reformuese për këtë post vazhdon të mos zgjidhet në mënyrë demokratike nga qytetarët: atë e emëron një komision i posaçëm, dhe emërimi konfirmohet zyrtarisht nga mbretëresha. Në Roterdam, në fund të tetorit, pas një mbledhjeje maratonë komisioni bëri të ditur emërimin e Abutalebit.
Në intervistën e parë si kryetar bashkie, Abutalebi i tha gazetarit të britanikes “Observer”, se shpresonte të gjykohej nga rezultatet dhe jo prej “origjinës apo ngjyrës së lëkurës”.
“Puna ime është të ndërtojë ura dhe Roterdami është një vend i shkëlqyer për ta bërë këtë. Ky është qyteti i projekteve të mëdha, ku kufi i vetëm është qielli, por njëherësh edhe një metropol me nivele të larta varfërie. Puna ime është të jem kryetari i Bashkisë së gjithkujt, nga biznesmeni i pasur, deri te fëmija nga Surinami që përpiqet vetëm të sigurojë jetesën,” kishte thënë ai në intervistë.
Abutaleb – dora e fortë e qytetit
I gjithë vendi e priste me ankth të madh këtë vendim: Një në dy banorë në Roterdam është me prejardhje emigrantësh. Ky ishte faktori kryesor për komisionin e besimit. Veç kësaj, kjo ishte shpresa, Abutalebi ka më shumë gjasa që të bëjë zap një grup të vogël të rinjsh myslimanë, shkaktarë të përsëritur trazirash. Ka shumë vite, që në qytete të mëdha si Amsterdami ose Roterdami ata terrorizojnë lagje të tëra. Sepse Abutalebi ka vepruar gjithmonë me dorë të fortë: “Ai që dëshiron të jetojë këtu”, ka qenë motoja e tij, “duhet të përshtatet!” Këtë ai e ka bërë të qartë pa ekuivoke si drejtor departamenti në Bashkinë e Amsterdamit: “Ai që do të jetojë këtu, duhet të pranojë normat dhe vlerat e këtij vendi. Ai që nuk e do këtë, do të bëjë mirë të bëjë gati edhe një herë valixhet.”
Historia politike e viteve të fundit në Roterdam ka qenë e trazuar. Në vitin 2002, pas dekadash të tëra dominimi të padiskutueshëm të Partisë së Punës, rregulli u thye kur partia e politikanit të djathtë, Fortuyn, fitoi disa bashki në zgjedhjet lokale, duke u mbështetur në platforma kundër emigracionit. Vrasja e tij pak kohë më pas, ashtu si ajo e regjisorit Van Gog, hapi shumë pikëpyetje në Holandë. Me kalimin e kohës kjo forcë e djathtë e humbi mbështetjen, por gjithsesi sot numëron 15 vende në këshillin e qytetit.
Reagime pas zgjedhjes së Abutalebit
Me shprehjet e tij, Abutaleb në sytë e shumë marokenëve bëhet tradhtar. Edhe në Roterdam ai ka bërë armiq: “Abutalebi mendon keq për ne, megjithëse është vetë maroken. Ai duhet të angazhohej për popullin e tij, në vend që ta diskriminonte!”
Të zemëruar ishin edhe popullistët e djathtë të partisë “Roterdami që ia vlen të jetohet”, të përfaqësuar në Bashki. Ata janë fraksioni i dytë për nga madhësia dhe e shohin veten mbrojtës të trashëgimisë së Pim Fortuyn-it, politikanit popullist të vrarë në vitin 2002. Fortuyn-i ishte i pari që kishte guxuar të kritikonte anët e errëta të politikës holandeze ndaj emigracionit. Me këtë ai theu një tabu dhe shkaktoi tërmet politik. Roterdami është qyteti ku nisi ngjitja e tij. Që pikërisht këtu tani e ka skeptrin në dorë një mysliman, kjo është e papërfytyrueshme për popullistët e djathtë. Kryetari i fraksionit, Ronald Sorensen pas emërimit të Abutalebit doli prej Bashkisë i tërbuar nga inati. Që t’i quante gjërat me emër, megjithatë ai nuk guxoi.
Në vend të kësaj, ai përmendi një sërë argumentesh të tjera: Në radhë të parë duhet të ndryshohet sistemi, në mënyrë që kryetari i Bashkisë të zgjidhet në mënyrë demokratike. Së dyti, sipas Sorensenit, Abutalebi është një karrierist, i cili deri tani i ka braktisur punët e mëparshme, sapo i kanë premtuar ndonjë më të mirë. Kjo nuk i hyn në punë Roterdamit. Dhe pika e tretë: Abutalebi ka dy pasaporta, një holandeze dhe një marokene. Prandaj, popullistët e djathtë i vënë pikëpyetje lojalitetit të tij. Faktin që marokenët nuk mund të dorëzojnë nënshtetësinë e tyre, Sorenseni nuk e pranon: “Abutalebi mund të vendoste një sinjal, të fuste pasaportën e tij në një zarf dhe ta kthente në Marok.”
Por shumica e roterdamasve megjithatë reagon në mënyrë pozitive për kryetarin e tyre të ri të Bashkisë. Shumë madje shohin në zgjedhjen e tij një sinjal që për sa i përket politikës së integrimit, holandezët janë në rrugë drejt një ekuilibri të ri.
Leave a Comment