Unaza e Madhe do të shpronësojë 180 banesa private
by admin on 21/12/08 at 8:05 pm
Ku do të “shkelë” rruga më e rëndësishme që do të ndërtohet në 2009-ën
Ndërtimi i Unazës së Madhe do të shpronësojë 180 banesa private plotësisht, ose pjesërisht. Ndërkohë që sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet prej saj është rreth 35 hektarë, përfshirë këtu edhe tokë buke. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës pas hartimit të projektit për segmentin jugor të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës është pjesë e buxhetit të 2009-ës.
Ndërhyrja
Projekti i ndërtimit të një unaze të madhe për Tiranën është ideuar që me planin rregullues të ////1989-ës. Në vitin 1999 është përfunduar ndërtimi i një pjese të saj, segmenti prej 2.2 km që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës. Por, në këtë investim u la pa përfunduar sistemi i kullimit të ujërave, trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi rrugor. Aktualisht, pjesa e Unazës së Madhe që pritet të financohet përmes një kredie 20 milionë euro, që do të merret nga Bashkia e Tiranës, përbën fazën e dytë të ndërtimit të këtij objekti, më i rëndësishmi për infrastrukturën kryeqytetase në vitin e ri. Projekti i segmentit jugor të saj vazhdon të shtrihet nga kryqëzimi me Rrugën e Kavajës, deri në atë me Rrugën e Elbasanit. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat prapa parkut të madh të Tiranës, në kodrat e Saukut për t‘u lidhur me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës, deri te parku i madh rruga përshkon një zonë urbane me dendësi të vogël me ndërtime të ulëta, por dhe me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit Artificial dhe ato të Saukut.
Trafiku
Qëllimi kryesor i Unazës së Madhe të Tiranës në të cilin përfshihet edhe ky segment rrugor, është lidhja e rrugëve hyrëse të qytetit të Tiranës (Rruga e Durrësit, ajo e Kavajës dhe Rruga e Elbasanit) midis tyre pa kaluar nëpërmjet rrugëve urbane të qendrës së qytetit, si për mjetet e rënda dhe për autoveturat. Rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë shkelje në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur një rritje trafiku prej mesatarisht 7% në vit. Kjo rrugë parashikohet të përballojë trafikun me kushte optimale deri në vitin 2021. Ajo llogaritet të shmangë një pjesë të rëndësishme të trafikut ekzistues, që sot kalon nëpër qendrën e Tiranës, ose në Unazën ekzistuese. Në orët e pikut, si rezultat i këtij trafiku dhe i kapacitetit të rrugëve në Unazë dhe në Rrugën e Elbasanit, shpejtësia mesatare e lëvizjes është deri 5 km në orë. Ky segment i Unazës së Madhe lidhet ////////////organizikisht me rrugët hyrëse të Tiranës që janë rikonstruktuar, ose kanë hyrë në procesin e rehabilitimit. Ekspertët thonë se ajo do të lehtësojë trafikun e rënduar, që krijohet në këto rrugë hyrëse, si dhe në kryqëzimet aktuale të tyre, me segmentin tashmë të ndërtuar të Unazës së Madhe, që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës. Në projektin e rrugës së re do të përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale e horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivel. Sistemi i semaforëve do të inkuadrohet në atë ekzistues të funksionimit të tyre dhe do të jetë i koordinuar me pjesën tjetër të semaforëve të instaluar në qytet. Për realizimin e sinjalistikës do të instalohen semaforë. Nga pikëpamja e gjerësisë së rrugës kjo pjesë e Unazës ndahet në dy segmente.
Rruga e Kavajës – diga e Liqenit Artificial pranë kopshtit zoologjik
Ky është segmenti i parë i Unazës së Madhe. Ai parashikohet të jetë një rrugë me tri vija kalimi nga 3.5 m për trafikun, në secilin drejtim të lëvizjes. Këto do të ndahen midis tyre me një brez të gjelbër me gjerësi prej 1.5 m, përgjatë të cilit do të instalohet edhe ndriçimi i lartë rrugor i nevojshëm. Vetëm në pjesën e brendshme të Unazës është parashikuar ndërtimi i një rruge sekondare (shërbimi) me gjerësi prej 8 m. Ajo do të ndërtohet paralel me rrugën kryesore, kryesisht në zonën e banuar dhe do të shërbejë për të lënë jashtë rrugës kryesore mjetet e ngadalta, si dhe për t‘u shërbyer aktiviteteve tregtare të vendosura përgjatë saj. Në të dyja anët e Unazës së re janë parashikuar të ndërtohen trotuare për kalimin e këmbësorëve me gjerësi prej 5 m dhe 3 m respektivisht në anën e brendshme dhe të jashtme. Në të gjithë gjatësinë e trotuareve do të instalohet ndriçimi i ulët rrugor, i nevojshëm për këmbësorët. Do të ketë edhe breza të gjelbër, me gjerësi prej 3 m secili që do të ndajnë rrugën kryesore me atë sekondare, si dhe me trotuaret në të dyja anët e saj.
Diga e Liqenit Artificial – Rruga e Elbasanit
Ky është segmenti i dytë i Unazës së Madhe që parashikohet të jetë një rrugë me dy vija kalimi nga 3.5 m për trafikun në secilin drejtim të lëvizjes. Edhe këto do të ndahen mes tyre me një brez të gjelbër me gjerësi prej 1.5 m, ku do instalohet edhe ndriçimi i lartë rrugor. Në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare 3 m secili. Në bazë të këtij projekti gjerësia totale e rrugës, duke përfshirë të gjithë komponentët e saj, është parashikuar të jetë 23.5 m. Lidhur me shtresat e rrugës parashikohet që ato të sigurojnë garanci, qëndrueshmëri dhe të përballojnë kapacitetet faktike e të perspektivës, të paktën për një periudhë 20-vjeçare.
Kryqëzimet
Në zonën kodrinore të Saukut rruga do të ketë pjerrësinë maksimale të saj deri në 7%. Pjesa tjetër kalon në terren me pjerrësi të vogël dhe pa thyerje të rëndësishme. Më problematike për bazamentin e rrugës parashikohet të jetë zona mbrapa Liqenit Artificial, ku si rezultat i ujërave të liqenit dhe i rrjedhjeve të ujërave në drejtim të tij, terreni parashikohet të jetë me formacione të paqëndrueshme. Por kjo vështirësi mendohet të kapërcehet përmes teknikave të punimeve në ndërtim.
Kjo pjesë e Unazës së re ka tri kryqëzime kryesore. Kryqëzimi i parë do të jetë ai me Rrugën e Kavajës pranë Shkollës Teknologjike, kryqëzimi me Rrugën e Parisit dhe ai me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit. Përveç këtyre, rruga e re do të ketë edhe tri dalje në nivel, me rrugë sekondare në zonën e Selitës dhe një tjetër pranë parkut të madh. Këto rrugë sekondare do të shërbejnë kryesisht për lidhjen e zonave ekzistuese, por edhe të reja urbane me Unazën, si dhe të aktiviteteve tregtare e industriale të pozicionuara përgjatë saj.
Leave a Comment