Topi duhet të shpallë zgjedhjet brenda janarit
by admin on 30/12/08 at 6:40 pm
Me 116 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka votuar Kodin e ri Zgjedhor të kthyer për rishikim nga Presidenti i Republikës. Pas këtij votimi me unanimitet, tashmë Presidenti i Republikës brenda muajit janar duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, ose më saktë duhet të zgjedhë
mes 21 dhe 28 qershorit se cila do të jetë e diela që shqiptarët do të shkojnë para kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re. Para fillimit të procesit të votimit, deputeti Arian Madhi ka lexuar para Kuvendit raportin e komisionit të reformës zgjedhore të firmosur nga dy bashkëkryetarët e tij, Ilir Rusmali për PD-në dhe Fatmir Xhafa për PS-në. Në konkluzionet e këtij raporti thuhet se amendamenti i propozuar plotëson kërkesën e parashtruar nga Presidenti i Republikës me dekretin e tij. Ai bën të mundur që Presidenti i republikës të nxjerrë dekretin
për caktimin e datës së zgjedhjeve pas hyrjes në fuqi të Kodit Zgjedhor. Me këtë amendament parashtrohet çdo mundësi për keqkuptimin apo keqinterpretimin lidhur me datën e zgjedhjeve. Presidenti është i detyruar që në konsultë me partitë politike parlamentare të dekretojë si datë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare një nga dy datat ligjërisht të mundshme, 21 qershor ose 28 qershor 2009. Ndërsa lidhur me propozimet e paraqitura nga deputetët e LSI-së dhe PDK-së, Madhi tha se ato nuk u morën parasysh nga komisioni, pasi dalin jashtë objektit të punës dhe kompetencës së tij. Ligji i ri zgjedhor përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore. Ky pretendim është kundërshtuar nga LSI-ja, e cila nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Pëllumb Xhufi, ka akuzuar PD-në dhe PS-në për pazare të pista politike. Sipas Xhufit, është e pakuptimtë tradita që ka bërë tashmë mazhoranca dhe opozita që ligje të rëndësishme i kalojnë ditët e fundit, ndërkohë që ato duan më shumë kohë në dispozicion për diskutime dhe shqyrtime. Por, ka theksuar Xhufi, ligji për reformën zgjedhore, megjithëse do shumicë të cilësuar në Kuvend, nuk do ta ketë shumë të vështirë për t‘u miratuar, pasi mazhoranca dhe PS-ja janë shprehur pro tij, duke bashkuar votat në Kuvend duke i quajtur thjesht cicmic deklaratat kundërshtuese të ditëve të fundit të mazhorancës dhe të opozitës, pasi, ashtu siç parashikohej, konsensusi mes tyre është arritur. Në shenjë proteste, LSI-ja është larguar nga salla e Kuvendit, duke mos marrë pjesë as në votimin e dekretit të Presidentit për Kodin
e ri Zgjedhor dhe as në projektligjin e propozuar nga qeveria për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë.
Leave a Comment