Qeveria: Ja fondi për ish-pronarët

by on 25/12/08 at 1:32 pm

Si do dëmshpërblehen ata që u janë zënë tokat. Shuma totale, 252 milionë lekë

Qeveria vendos të shpërblejë pronarët e ligjshëm, ndërsa titujt e pronësisë do u jepen atyre personave që kanë zaptuar tokat, duke shpresuar te procesi i legalizimit. Ish-pronarët në qytetet kryesore të vendit, si në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan, që janë prekur nga ndërtimet informale, do të shpërblehen brenda një kohe të shkurtër nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Vlera e përgjithshme e shpërblimit të ish-pronarëve është 252 milionë lekë. Këshilli i ministrave ka caktuar gjithashtu edhe vlerën e sipërfaqeve takuese të këtyre pasurive. Sipërfaqja totale për shpërblim është 57 mijë metra katrorë.
Qeveria përpos pensionistëve dhe buxhetorëve për festat e fundvitit ka menduar edhe për ish-pronarët. Zonat si, Tirana, Vlora, Shkodra dhe Elbasani do të jenë zonat e para që do të përfitojnë nga ky proces shpërblimi.
Qëndrimi
Për të plotësuar të gjithë kuadrin ligjor, shefi i qeverisë i kërkoi ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të plotësojë të gjithë kuadrin ligjor për shtëpitë e ndërtuara mbi pronën e pronarëve të ligjshëm.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, të Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, do të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 57 mijë m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 252 milionë lekë. Vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
Pronat
Kthimi e kompensimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist vijon të mbetet një problem shqetësues. Gjatë periudhës 2007-2008, buxheti i caktuar nga qeveria për kompensimin e pronave është rreth 11 milionë dollarë, ndërkohë që vlera totale e të gjithë procesit është vlerësuar rreth 3.5 milionë dollarë. Ende mungon banka e të dhënave që do të mundësonte identifikimin, vlerësimin dhe prioritizimin e pretendimeve për kthimin dhe kompensimin e pronave. Agjencia e AKKP ende nuk ka shpërndarë fondin e kompensimit për vitin 2008. Ende nuk është miratuar harta e tokës për të gjithë vendin, ndërkohë që është përgatitur nga Komiteti i kthim-Kompensimit të Pronave. Qeveria duhet të punojë për hartëzimin e gjedësisë së pronësisë mbi pronën e paluajtshme në vend, apo krijimin e një sistemi të dixhitalizuar që të pasqyrojë gjendjen e kthimit dhe kompensimit të pronës së paluajtshme në vend.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login