Për të mëdhenjtë e vendit të vogël

by on 27/12/08 at 1:45 am

image2Mund të ndiheni për pak si një spektator në La Scala, Metropolitan Opera, në stadiumin Vélodrome të Marsejës, e të imagjinoni si gjithë të tjerët duartrokasin talentin e protagonistit, një shqiptari si ty. Në 11 nëntor, në mbrëmjen “Dua më shumë Shqipërinë”, Vera Grabocka do t’i sjellë këta emra të njohur në Pallatin e Kongreseve, ku duartrokitjet tona do kenë tjetër tingëllim… falënderimi dhe mirënjohjeje

Nga një ankesë në tjetrën, për gjithë hallet që lidhen me vendin tonë, mund të gjejmë edhe një biletë për ca pushime në mes. Për t’u vendosur para disa faktesh që e kthejnë përmbys me 180 gradë tablonë e mundësive të pakta, e mungesës së stimujve që mbajmë  para syve dhe nuk lodhemi së e komentuari me zë.

Fakte që lidhen me shqiptarë si ne, por që nga Shqipëria, pak ose aspak, kohë më parë ose dhe kurrë, kanë marrë diçka e, krejt jo si ne (në fakt kemi shumë ndryshim), nuk presin nga ky vend mbështetjen si mundësi për të ecur përpara. Në të kundërt, i kanë dhënë aq shumë Shqipërisë.

Është ‘borxhi” e dëshira për t’u thënë “faleminderit” njerëzve që e bëjnë emrin e Shqipërisë të dëgjohet në botë, të lidhur me suksesin, arritjet, rekordet, që qëndron në thelb të mbrëmjes Gala “Dua më shumë Shqipërinë”. Për herë të parë regjisorja Vera Grabocka e konkretizoi këtë ide në vitin 2001. Do pasonin dhe dy edicione të tjera, që do të sillnin shqiptarët më të spikatur në të njëjtën skenë. Dhe bëhet sërish e mundur.

Në 11 nëntor, në skenën e Pallatit të Kongreseve, Grabocka dhe stafi i saj do mbledhë nga të katër anët e globit një grup shqiptarësh, që për t’i gjetur, është një nga gjërat më të thjeshta (shumë më e thjeshtë se t’i japësh një të huaji hartën e botës e t’i thuash: gjej Shqipërinë), sepse jeta kulturore, sportive, faqet e internetit, mjediset elitare të Teatrove të Operës dhe Baletit apo ato më popullore të kinemave, ua dinë emrat. E vështirë, siç thonë organizatorët e këtij eventi, ishte të fiksohej një datë kur mund të mblidheshin gjithë emrat e njohur, që kanë një axhendë shumë të ngarkuar. Prandaj, u bënë disa përshtatje. Si për shembull të lihej e marta si dita e zhvillimit të Galasë dhe jo e shtuna e kampionateve të futbollit apo e shfaqjeve të rëndësishme. Është mëse e kuptueshme që tenori Josif Gjipali, që po trondit me suksesin e tij, nuk mund të braktisë skenën e La Scala-s apo të Metropolitan Opera-s dhe skuadra Olympique e Marsejës (e vetmja skuadër franceze që është kurorëzuar Kampione e Evropës), nuk mund të luajë pa kapitenin e saj, Lorik Canën.

Përveç këtyre dy figurave të njohura, do jetë i pranishëm dhe aktori me famë botërore James Belushi, Sajmir Strati, por dhe personazhe që këtu nuk njihen thuajse fare: nga Vjena Eno Peçi, primobalerini i Teatrit të Operës dhe Baletit atje, Ergin Kuke (Art Director për efektet speciale në filmat Batman, Superman etj.), Hetem Ramadani, biznesmeni që është futur në enciklopedinë “Who si who”, që dhuroi 100.000 euro për tragjedinë e Gërdecit dhe 150.000 euro për artistët shqiptarë, Bujar Luca (piktor i vlerësuar me Medalje të Argjendtë nga Akademia Franceze e Arkitekturës), gjë që sikur i jep një tjetër peshë borxhit tonë. Janë zgjedhur enkas nga disa fusha për të pasur një shpërndarje më të njëtrajtshme. Dhe si pickim që nuk është ëndërr ai suksesi i tyre, do vijnë copëza filmike ku do të tregohen kulmet e aktivitetit të tyre.

Pra nga një ankesë, një biletë në tjetrën për vendin tonë, shumë e përshtatshme për pak pushim do ishte ajo që mban logon “Dua më shumë Shqipërinë”, regjisore: Vera Grabocka, prezanton Timo Flloko dhe Alketa Vejsiu… të çon në Pallatin e Kongreseve.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login