Pallati i shembur, mbyllet greva e urisë në Gjirokastër

by admin on 23/12/08 at 2:24 pm

Mosmarrëveshjet mes familjeve të dëmtuara më 9 nëntor sjellin fundin e protestës ekstreme

Banorët e pallatit të shembur në Gjirokastër i kanë dhënë dje fund grevës së urisë që zgjati tetë ditë. Burrat e 13 prej familjeve që
humbën shtëpitë nga shembja e pallatit pesëkatësh më 9 nëntor të këtij viti u futën në grevë urie, pasi strukturat shtetërore vonuan dëmshpërblimin e premtuar dhe më pas propozuan një masë dëmshpërblimi që nuk u pranua prej banorëve. Mësohet se greva u mbyll dje pas negociatave me përfaqësues të pushtetit vendor, ndërkohë që ka dalë në pah edhe fakti se mes grevistëve ka pasur shumë mosmarrëveshje. Dje grevistët u mblodhën përpara Bashkisë së Gjirokastrës për të protestuar, ashtu siç kishin planifikuar një ditë më parë. Por, ndryshe nga ç‘prisnin, ata nuk janë mbështetur nga qytetarët e Gjirokastrës, por kanë qëndruar në shesh të shoqëruar vetëm nga familjarët dhe disa përfaqësues të partive politike dhe organizatave joqeveritare. Ata kanë mbajtur në duar pankarta
ku shkruhej: “Kërkojmë dëmshpërblim të plotë” dhe “Duam të drejtën tonë”. Në këtë protestë, përfaqësuesi i grevës, gazetari Sokrat Papadhopuli, lexoi edhe vendimin për mbylljen e përkohshme të grevës së urisë. “Duke besuar në deklaratën e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, bërë disa ditë më parë, se kërkesat tona do të marrin përgjigjen e duhur si dhe në prag të festave tradicionale të fundvitit, dalim prej grevës së urisë deri në ditët e para të janarit dhe, natyrisht përgjithmonë, me të marrë dëmshpërblimin. Në rast të kundërt, ne do të rishohim pozicionet tona dhe brenda hapësirave të demokracisë dhe respektimit të ligjeve do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat, duke shpresuar te shteti ligjor, tek organet e drejtësisë dhe të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemit tonë”, u shpreh Papadhopulli. Ndërkohë, dje janë vënë re edhe mosmarrëveshjet mes familjeve të pallatit të shembur. Disa prej këtyre familjeve akuzojnë familjet e tjera se janë favorizuar nga pushteti vendor për
zgjidhjen e problemit të tyre. Ndërkohë, akuzat për diferencime mes banorëve të dëmtuar nga shembja e pallatit janë
hedhur poshtë nga drejtues të Bashkisësë Gjirokastrës.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login