Kristina Jorgaqi

by admin on 27/12/08 at 1:49 am

Ca lumturi të vogla e të mëdha, ca heronj të dikurshëm dhe mbi të gjitha ca veprimtari që për Kristina Jorgaqin janë njëlloj të preferuara: të studiojëKristina Jorgaqi e të shkruajë, të gatuajë e të kujdeset për shtëpinë, të ushtrohet fizikisht dhe të lexojë për kënaqësi…

Cila është ideja jote për lumturinë e vërtetë?

Lumturia e vërtetë?! Unë njoh thjesht lumturinë, atë pa epitete: një ndjenjë që, për fat të keq, zgjat sa një ëndërr… E që, po iu vure ta kërkosh, nuk e gjen dot kurrë…

Cila është frika më e madhe?

Ndër frikërat racionale, ajo nga një jetë në shtrat, e paralizuar.

Cilin person të gjallë admiron më shumë?

Admiroj pak njerëz prej asaj species në zhdukje në Shqipëri: njerëzit me integritet moral.

Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Budallallëku pa keqdashje.

Ekstravaganca jote më e madhe?

Nuk jam natyrë ekstravagante. Nëse ndodh t’i thyej normat, nuk ka aty kurrfarë doze ekzibicionizmi.

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Rikthimi në vendet që më kanë pëlqyer.

Në ç’rast mund të gënjesh?

Kur nuk dua ta lëndoj tjetrin.

Personi që përçmon më shumë?

Të pabesin.

Cilat fjalë apo shprehje përdor më shpesh?

Varet se me kë flas dhe për çfarë flas.

Pengu yt më i madh?

Që nuk i bie ndonjë vegle muzikore, që nuk di të këndoj, që nuk kam mësuar të kërcej bukur…

Kur dhe ku ke qenë e lumtur?

Shpesh, për shumë gjëra, të mëdha e të vogla…

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Në paqe me veten dhe me të tjerët.

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka te vetja, çfarë do të ishte ajo?

Të isha më pak e ndjeshme ndaj ligësisë së njerëzve.

Ç’gjë e konsideron si arritjen tënde më të madhe?

Gjithçka që kam sot dhe që më bën të ndjehem ajo që jam.

Po të vdisje dhe të mund të rimishëroheshe në dikë a diçka tjetër, çfarë do të ishte ajo?

Megjithë admirimin që kam për budizmin, ideja e rimishërimit është shumë e largët për botëkuptimin tim.

Po sikur të mund të shndërroheshe në diçka, ç’do të doje?

Pyetje shumë absurde për mua, që të mund t’i jap një përgjigje.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Shtëpia ime me gjithsej.

Cilën quan pikën më të thellë të mjerimit?

Kur njeriut s’i mbetet asnjë thërrime dinjitet.

Ku do të të pëlqente të jetoje?

Këtu ku jetoj.

Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara jote?

Preferoj, pa mundur dot t’i ndaj, të paktën katër gjëra: të studioj e të shkruaj, të gatuaj e të kujdesem për shtëpinë, të ushtrohem fizikisht dhe të lexoj për kënaqësi…

Cila është karakteristika jote më e spikatur?

Të qenët e drejtë.

Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Kuraja.

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Kuraja.

Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?

Në këtë periudhë jam e afeksionuar pas letërsisë së Simone de Beauvoir.

Cili është heroi yt në art?

Heronjtë e mi në art i takojnë adoleshencës. I fundmi i asaj kohe kujtoj të ketë qenë Andrea Bollkonski te Lufta dhe paqja e Tolstoit.

Kë ke heronj në jetën reale?

A mund të ketë heronj një grua në moshën time?!

Cilat gjëra nuk të pëlqejnë fare?

Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë: paragjykimet, gënjeshtrat, shtirja, paburrëria, pabesia, mendjet e mbyllura… Lista mund të vazhdonte gjatë.

Si do pëlqeje të vdisje?

Pa vuajtur, afërmendsh.

Cila është motoja jote?

“Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe sikur nuk do të vdesësh kurrë”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login