Koboli: Një 2008 super për Juventusin
by admin on 23/12/08 at 3:21 pm
Presidenti bardhezi është i kënaqur për periudhën që po kalon skuadra
Bomberat Amauri-Del Piero, ndjekja e Interit, ëndrra Champions. Presidenti i Juventusit, Koboli Xhilji, shikon një bilanc pozitiv për bardhezinjtë në 2008-ën. Po ashtu, ai fikson objektivat për sezonin e ardhshëm dhe mbron gjyqtarët pas polemikave të javës së fundit të Serisë A. Një vit sigurisht i kënaqshëm për bardhezinjtë, me rikthimin në mënyrën më të mirë në Evropë (me vendin e parë në grup në Champions dhe fitoren e dyfishtë me Real Madrid) dhe kandidatura si ndjekësja e parë e Interit të Murinjos në sezonin në vazhdim. “Ka qenë një vit pozitiv për Juven, me një pjesë të parë, në të cilën jemi kualifikuar në Champions League dhe në pjesën e dytë, në Serinë A, që na gjen gjashtë pikë nga kreu”, shprehet Koboli Xhilji. Mirë për të kaluarën, por t‘i hedhim një sy edhe së ardhmes së afërt: “Duam të bëjmë figurë të mirë në Champions dhe të luajmë për titull deri në ndeshjen e fundit, pa harruar kupën e Italisë”, thotë presidenti i Juves për radion “Sky Sport 24″. Për 2009, Koboli Xhilji uron edhe një parakalim të Interit. “Shpresoj që një ditë Juventusi të dalë në vend të parë. Zikaltrit nuk kanë pasur ende një episod kundër? Dua të them se vitin tjetër do t‘ju ndodhë, kjo, bazuar në një llogari normale të futbollit”. Nuk mungojnë edhe zërat e merkatos. Por Koboli duket kategorik: “Merkato? Në janar do të rikuperojmë kampionë të mëdhenj, të cilët kanë qenë të dëmtuar për një periudhë të gjatë dhe besojmë se nuk do të na duhet as të blejmë dhe as të shesim. Seko e Blank po shikojnë ndonjë blerje për në qershor, por tani do të rikthehen Trezege, Zebina, Bufon, kemi rikuperuar Zanetin e Poulsenin. Do të jetë një skuadër e strukturuar mirë për fillimin e shkurtit ndaj Çelsit, ku kemi 50% të shanseve për të kaluar turin”. Koboli më pas vlerëson Amaurin, investimin më të madh të merkatos bardhezi, i cili me 11 golat e tij ka bërë të mos ndihet mungesa e gjatë e David Trezegesë: “Nuk mund të zgjedh tjetër veç Amaurit, si juventini i 2008-ës. Është përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje, është shndërruar në një yll të Juventusit, por edhe i futbollit italian. A do të bëhet italian? Do të ishte mëkat nëse nuk do të bëhej”. Për ardhjen e Bekhamit, presidenti i Juves është ironik: “Milani ka projektin e tij të imazhit që e njohim, ne kemi bërë operacionin e stadiumit të ri”.
Leave a Comment