Pëllumbi, akuzat ndaj politikës
by admin on 21/12/08 at 5:30 pm
INTERVISTA/ Flet ideologu i së majtës: Infrastruktura partiake është shndërruar në frenuese të proceseve që lidhin politikën me moralin
Ideologu i së majtës dhe një nga filozofët më të njohur në vend, Servet Pëllumbi, fshikullon rëndë politikën shqiptare. Në një intervistë për “Shqip”, profesori i politikës paralajmëron aktorët aktualë që të marrin përgjegjësitë që u takon përpara popullit, në lidhje me krizën ekonomike dhe financiare që po troket. Duke analizuar situatën në vend, ish-kryetari i Parlamentit shqiptar, thekson se “ne nuk kemi as eksperiencën e duhur dhe as institute të specializuara që të bëjnë vazhdimisht transparencën e nevojshme dhe të informojnë publikun për ndikimin e krizës e për masat e nevojshme për përballimin e pasojave. Madje, që në fillim u dëgjuan deklarime naive, ‘se kriza nuk ka të bëjë me ne‘! Kuptohet, vendi ynë nuk është aq i ekspozuar ndaj pasojave të krizës financiare sa vendet me sistem bankar të zhvilluar dhe me nivel të lartë investimesh, por nuk është i imunizuar nga kriza ekonomike”. Ndërkaq, në lidhje me performancën e politikës shqiptare karshi krizës, në mënyrë të veçantë, por edhe në sjelljen e përgjithshme, profesor Pëllumbi tregohet mjaft i prerë dhe i ashpër. “Për partitë shqiptare, sot për sot nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa lufta për pushtet dhe për ta mbajtur atë me çdo mjet pasi e merr. Infrastruktura partiake, e ngritur për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis pushtetit dhe popullit, është shndërruar që sot në frenuese të proceseve që lidhin politikën me moralin dhe me pjesëmarrjen aktive të iniciativave qytetare në drejtim, thekson në intervistën për “Shqip”, ish-kryeparlamentari, i cili është një nga themeluesit dhe drejtuesit e parë të Partisë Socialiste. Gjithashtu, Pëllumbi analizon edhe zhvillimet aktuale në kuadër të krizës globale, duke “përkthyer” nga pikëpamja filozofike zgjidhjet dhe prognozat që përballet bota e sotme…
Ka kohë që po flitet për krizën financiare botërore dhe për të janë alarmuar sidomos bankat e vendeve të zhvilluara, por edhe qeveritë, politikanët e njerëzit e thjeshtë. Çfarë përfaqëson, sipas jush kjo krizë dhe sa kohë mund të zgjasë?
Shqetësimet në të gjitha nivelet që përmendët ju në pyetjen tuaj janë plotësisht të motivuara, sepse bëhet fjalë për një krizë që nisi me sistemin financiar dhe tani është shndërruar në krizë ekonomike me të gjitha pasojat që ajo sjell, me rënie të treguesve ekonomikë, me rritje të papunësisë, me shtrenjtimin e jetesës, me ashpërsim konfliktesh edhe jashtë sferës ekonomike, duke pritur që palët të dobësojnë dhe të përfitojnë në kurriz të njëra-tjetrës.
Kjo është kriza e parë e këtyre përmasave në etapën e sotme të globalizimit, që po i vë në provë të gjithë, sepse ajo kërkon jo riparime në rrugë e sipër, por zgjidhje globale dhe deri ndryshim konceptesh. Dhe, i pari përfundim që mund të thuhet që tani, është se kriza, gati të gjithë i zuri në befasi. Kjo i bën pasojat edhe më të rënda dhe krizën më të zgjatur. Pritet që viti 2009 të jetë më i rëndi, kur mund të shfaqen edhe lloje të “separatizmit tatimor”, por edhe protesta masive në rajone të ndryshme të botës. Pa harruar që do të duhen edhe 2-3 vjet të tjera që vendet e prekura më thellë nga kriza të marrin veten.
Z. Pëllumbi, në Samitin fundit të OKB-së, liderët e tjerë, me prirje të forta, apo të dobëta majtas, patën kënaqësinë të dëgjonin nga goja e Xhorxh Bush domosdoshmërinë për ndërhyrjen e qeverive në tregun e lirë, gjë që për amerikanët është një sakrilegj. Me ndërhyrjet aktuale të qeverive në tregje, a jemi vërtet para shkeljes së një prej principeve më të paprekshëm të kapitalizmit?
Është e natyrshme që kriza të tilla globale të sjellin pështjellime edhe të natyrës teorike dhe të detyrojë këdo për të qëndruar me këmbët mbi tokë. Amerika ishte vendi ku u shkaktua dhe nisi kriza globale financiare dhe ku u pa se sa e domosdoshme ishte ndërhyrja e shtetit. A binte kjo ndesh me fetishizimin që i ishte bërë lirisë së pakufizuar të tregut, sidomos në SHBA? Pa dyshim, prandaj dhe duhej bërë hapi i madh prapa i Bushit dhe i tërë opinionit publik amerikan. Megjithatë, them se është i kritikueshëm teprimi me lirinë e tregut që e la atë jashtë çdo kontrolli, por jo roli rregullator i tregut në përgjithësi që nuk e përjashton rolin e shtetit, në përmasa të caktuara e të rregulluara me ligj. Veçse, nuk mendoj se është rasti që ca të ulin kokën, e të tjerë të rrahin gjoksin e të ngazëllehen, sepse është koha për të bashkuar përpjekjet dhe për të gjetur zgjidhjet më racionale për krizën.
Kultura amerikane mbështetet më shumë se kudo tek ideali ekonomik laissez-faire i kapitalizmit. Ndërkohë që Hauard Zin, një studiues i njohur amerikan, vërejti para pak ditësh se po bëhemi dëshmitarë të fillimit të fundit të perandorisë amerikane. A mund të jemi vërtet para një fakti të tillë?
Pas vitit 1989, që shënoi përmbysjen e komunizmit, filozofia neoliberale nxitoi të shpallë fitoren e saj të plotë e përfundimtare dhe përfaqësues më në zë të saj të thonë edhe se shoqëria kapitaliste e mbështetur mbi tregun e lirë dhe demokracinë liberale, shënon “fundin e historisë, të filozofisë, të artit” (Fukujama, Kozhjev etj.). Mishërimi më i lartë i këtij realiteti të ri u shpall SHBA-ja, që mbeti e vetmja superfuqi në botë. Pas kësaj, sipas tyre, nuk mbetej gjë tjetër veçse që ky model të fitonte kudo në botë me mbështetjen dhe ndihmën amerikane. Dhe, deri para krizës aktuale, të rrallë ishin ata që mund ta vinin këtë mundësi në dyshim.
Ndërsa kriza, që i lëviz gjithë gurët, shtroi edhe çështjen e ridimensionimit të fuqive botërore, për të kaluar nga bota njëpolare në atë shumëpolare. Në Samitin e Nju Jorkut të 15 nëntorit 2008 morën pjesë 20 shtete, që tashmë quhen fuqi botërore. Ndërsa në vitin 2020, parashikohet që tre nga katër fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, të jenë në Azi e konkretisht Kina, India dhe Japonia. Ndryshime të tilla, që janë të pashmangshme, studiuesi i njohur Hauard Zin, jo pa keqardhje e frymë kritike, i quan “Fillimin e fundit të perandorisë amerikane”. Në të vërtetë nxitohen ata që e shohin krizën e sotme si fundin e amerikanizmit. Nuk ka për të ndodhur një fund i tillë, sepse ekonomia amerikane ka për të dalë para të tjerëve nga kriza dhe me potenciale për një zhvillim edhe më të madh në të ardhmen e afërt. Dollari ka për t‘u forcuar dhe për të mbetur, siç është sot, para botërore. Po ashtu dhe sistemi financiar botëror do të vazhdojë ta ketë qendrën në Nju Jork. Që tani ka filluar në tregun global rritja e kërkesës për dollarë.
Ndërkaq po privatizohen banka, kompani të mëdha dhe papritmas shtetet hynë vërtet në lojë për të luajtur rolin e shpëtimtarit. Disa arritën deri në atë pikë sa profetizuan fundin e kapitalizmit. A ka vend për një prognozë të tillë?
Kjo është prognoza e komunistëve. Kështu, kryetari PK-së i Federatës Ruse në Kongresin e 13-të, zhvilluar me 20 nëntor në Moskë, në prani të 83 delegacioneve të PK-së të vendeve të tjera, deklaroi tërë pompozitet, se “era e historisë prapë fryn mbi velat tona. Në valët e krizës do të japë shpirt imperializmi botëror”! Në të vërtetë nuk ka aspak vend për slogane të tilla të vjetruara. Krizat, siç dihet, duke qenë në një gjendje kritike, shoqëruar me vështirësi e tronditje jo të pakta, përmbajnë në vetvete edhe stimuj e premisa “pastrimi” e zhvillimi të mëtejshëm. Kjo do të thotë, se ekonomia kapitaliste edhe kësaj here do të dijë të përshtatet e të dalë nga kriza me potencialet e nevojshme për zhvillim të mëtejshëm. Pa dyshim, për këtë duhen reforma e ndryshime të thella, sidomos në drejtim të forcimit thelbësor të rolit të shtetit, sidomos në tregjet financiare. Mund të supozohet se shteti, duke marrë “paketa aksionesh” i detyruar nga kriza, do të shndërrohet në një pronar të madh dhe kjo mund të shënojë fundin e epokës së kapitalizmit liberalist dhe kalimin në epokën e një lloji të ri të kapitalizmit shtetëror, që do të jetë më adekuat për procesin objektiv të globalizimit në mijëvjeçarin e tretë.
Sa e lidhni krizën aktuale globale me përmendjen, gjithnjë e më shpesh të emrit të Karl Marksit, si edhe kthimin në skenë të “Kapitalit”, të veprës së tij kryesore? Së fundmi janë shënuar edhe rekorde shitjesh, veçanërisht në Gjermani.
Do të ishte thjeshtëzim i tepruar nëse do të thoshim, se për krizën aktuale, për shkaqet dhe për daljen prej saj do të gjenim përgjigje të gatshme në veprën e Marksit. Në të njëjtën kohë do të ishte po aq gabim të mohoje faktin e rritjes së interesit për “Kapitalin” nën ndikimin e krizës. Është diçka e njohur botërisht që Marksi, më thellë se të tjerët, depërtoi në zbulimin e shkaqeve dhe cikleve të krizave të kapitalizmit dhe formuloi ligjet përkatëse. Me gjithë ndryshimet e ndodhura gjatë 140 vjetëve, që na ndajnë nga botimi i vëllimit të parë të “Kapitalit”, plot ide dhe zbulime të Marksit kanë vlerë edhe sot, prandaj edhe vepra e tij blihet e lexohet. Kuptohet, kryesisht nga ata që shohin te Marksi filozofin e shkencëtarin dhe jo “djallin”, apo “përbindëshin”!
Për sa u përket shitjeve të “Kapitalit” do të përmendja faktin që në Panairin e Librit në Tiranë, në nëntor të këtij viti, siç më tha një nga pronarët e një shtëpie të njohur botuese, të gjitha kopjet e “Kapitalit” u shitën brenda dy orëve që ditën e parë. Ka të drejtë Enzensberger kur thotë se “një fije marksizëm nuk i bën keq askujt”?
E, megjithatë, autori i njohur dhe i përmendur nga ju, Hans Magnus Enzensberger, vërente javën e shkuar në një intervistë, se “kapitalizmi di të martohet me gjithçka, si me demokracinë, ashtu edhe me diktaturën, me fashizmin e me një parti kineze që e përkufizon veten komuniste. Duket se riprodhimi i kapitalizmit nuk ka të bëjë fare me regjimin politik. Cili do të ishte komenti juaj?
Nuk dua të debatoj me të, por mendoj se rëndësi për sot ka të nënvizohen dy momente: Së pari, që kapitalizmi është sistemi më dinamik, më i afti për t‘u përshtatur sipas kushteve që ndryshojnë vazhdimisht dhe kjo do parë si një tipar e vlerë pozitive që i ka dhënë mundësi të mbijetojë dhe të zhvillohet. Edhe pse për Marksin duhej të kishte “vdekur” me kohë. Socializmi, siç dihet, nuk e pati një aftësi të tillë, prandaj dështoi dhe u përmbys. Së dyti, kapitalizmi i sotëm, po të përdorim shprehjen e Enzensbergerit, është “martuar” me demokracinë dhe duket se kjo do të jetë një martesë vitale, pjellore dhe jetëgjatë.
Xhorxh Soros, magjistari i bursës, vërejti se situata e sotme në tregjet financiare është shkaktuar prej mungesës së mekanizmave të kontrollit, që duhet të luajnë “si macja me miun” me aktorët e tregjeve. Mund të pranohet që gjithçka është shkaktuar nga mungesa e mekanizmave adekuatë të kontrollit?
Ka një tërësi faktorësh, por Soros, si njohës shumë i mirë i tregjeve financiare, e ka venë gishtin e tij “me peshë” mbi më kryesorin prej tyre. Pas përmbysjes së komunizmit, të karfosur nga euforia, etja për fitime maksimale, veçanërisht nga ana e bankierëve në disa nga vendet e zhvilluara të Perëndimit, doli jashtë kontrollit dhe u shndërrua në babëzi, ndërsa politikat sociale filluan të reduktoheshin. Për të mos prishur imazhin për “shoqërinë e mirëqenies”, filluan të përdoren rrugë joshëse, në vështrimin e parë, por që rezultuan të “minuara”. Tregu financiar filloi të sillej sikur të mos ishte fare në tokë dhe i lidhur me mijëra fije me ekonominë reale, ndërsa bankat si piramida të stërmëdha që vepronin sipas parimit mashtrues “jep një tullë të marrësh një pallat”! Ndodhi kështu një degjenerim strukturor i tipit “kazino” që, nëse nuk i pritet rruga i merr frymën demokracisë, që për manjatët e këtij kallëpi, përbën një pengesë që duhet hequr qafe. Nga evidentimi i mungesës së kontrollit, si e keqja më e madhe, rezulton se edhe zgjidhja duhet të përqendrohet, para së gjithash, te rindërtimi i sistemit financiar, te ripërtëritja e institucioneve ndërkombëtare për t‘i bërë ato më të efektshme dhe paralajmëruese të dramave për ekonominë botërore të epokës së globalizimit.
Në një artikull që keni botuar në fillimet e krizës, jeni shprehur se priten zhvillime dramatike, sepse realisht kemi hyrë në një etapë të re të globalizimit që do të imponojë një debat të ri të përmasave botërore midis drejtimeve kryesore të filozofisë politike prej të cilave po kërkohen ide, teori, zgjidhje të reja. A mund ta shtjelloni e konkretizoni më tej këtë mendim?
Kuptohet, nuk kam parasysh, doemos, ndërrimin e sistemit, por zhvillimin tij dhe kalimin në stadin e global-kapitalizmit, i kuptuar si një kapitalizëm shtetëror në të cilin shteti dhe tregu do të përbëjnë një sintezë të re të kundërtash. Në këtë stad mund të supozohet që dilemat filozofike të tanishme të mund të përfshihen në “Filozofinë e pikëpamjeve të njëjta”, në “kompromisin moral “dhe “pranimin e tjetrit”, që të ndryshmit dhe kundërshtarët të kuptojnë vlerat e kohezionit social, të mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të debatojnë e të merren vesh për çështje të rëndësishme të zhvillimit botëror. Ky stad zhvillimi do të sintetizonte në vetvete dinamikën dhe aftësinë vetorganizuese të ekonomisë së tregut me drejtësinë sociale, pse jo dhe me elemente të planifikimit. Prej këtej do të lindë nevoja, që ndryshe nga etapa e sotme, të veprojë një hierarki qëllimesh mbarënjerëzore, bashkësi individësh të lirë e me zhvillim të gjithanshëm, të aftë për të krijuar, në rrugë demokratike, një shoqëri civile të përmasave globale, të gatshëm për të marrë vendime në “Kuvendet e popullit”, si dhe për të mbajtur përgjegjësi përballë rreziqeve që kërcënojnë seriozisht ekzistencën e gjinisë njerëzore mbi tokë. Këto sot mund të tingëllojnë utopike, por me sa duket përbëjnë të vetmen alternativë për të ardhmen e njerëzimit, i cili sipas Klod Levi Straus-it “ose do të bashkohet ,ose nuk do të jetë më”!
Mendoni vërtet se aktualisht ekzistojnë alternativa në gjendje të zëvendësojnë kapitalizmin?
Në këto që thashë nuk bëhet fjalë për zëvendësim të kapitalizmit dhe as për revolucione që përmbysin gjithçka, por për zhvillim të tij të diktuar nga kriza dhe nga proceset e globalizimit.
Cila do të ishte ajo forcë politike shqiptare që do të qëndronte më pranë këtyre zgjidhjeve të reja, nëse këto do të ktheheshin në trend politik botëror?
Për zhvillime të tilla nuk bëhet fjalë për autorësi nga forcat politike ekzistuese, as tek ne dhe as në botë. Forcat politike klasike janë duke dalë nga skena, më parë në vendet e zhvilluara dhe më pas edhe në vendet e demokracive të reja ku bën pjesë edhe Shqipëria. Infrastruktura partiake, e ngritur për të lozur rolin e ndërmjetësit midis pushtetit dhe popullit, është shndërruar që sot, në frenuese të proceseve që lidhin politikën me moralin dhe me pjesëmarrjen aktive të iniciativave qytetare në drejtim, në kontrollin social dhe në modernizimin e shoqërisë së sotme që do të lëvizë me ritme shumë më të larta drejt një shoqërie unike, një qeverie dhe parlamenti botëror. Partive shqiptare u takon që t‘i kuptojnë më mirë këto procese dhe të shpejtojnë integrimin e vendit tonë në Bashkësinë Evropiane. Të tjerat vijnë më pas.
Faktin që kriza botërore është reflektuar relativisht më pak në ekonominë tonë e shihni si pasojë e pranisë së fortë të qeverive në ekonominë shqiptare?
Që në fillim do të thosha, se ne nuk kemi as eksperiencën e duhur dhe as institute të specializuara që të bëjnë vazhdimisht transparencën e nevojshme dhe të informojnë publikun për ndikimin e krizës dhe për masat e nevojshme për përballimin e pasojave. Madje, që në fillim u dëgjuan deklarime naive “se kriza nuk ka të bëjë me ne”! Kuptohet,vendi ynë nuk është aq i ekspozuar ndaj pasojave të krizës financiare sa vendet me sistem bankar të zhvilluar dhe me nivel të lartë investimesh, por nuk është i imunizuar nga kriza ekonomike.
Veçanërisht duhet të rritet kujdesi për vitin 2009, sepse kriza do të zbresë në nivelet që do të na prekin më tepër. Shqipëria është një “shtet tregtar”, me një raport import-eksport 9 me 1 në favor të importit. Edhe ai pak eksport dominohet nga lëndët e para për të cilat do të bjerë ndjeshëm kërkesa. Prurjet (remitancat) nga emigracioni, më e pakta, do të përgjysmohen. Studiuesit e krizës aktuale parashikojnë që pasojat të bien më tepër mbi konsumin dhe konsumatorët. Dhe ne, edhe pse mund t‘i kemi më të sigurta depozitat bankare, realisht jemi në vartësi të tregjeve të huaja, duke filluar nga buka, uji i pijshëm dhe deri te frutat e perimet, pa folur për mallrat industrialë.
Si i shihni qeveritë shqiptare të së ardhmes, me prirje më të forta majtas, pra më të pranishme në treg, apo djathtas, drejt politikës laisser-faire?
Për mirë apo për keq, qeveritë shqiptare asnjëherë nuk janë dalluar për qëndrime strikte doktrinare dhe prandaj alternativat majtas-djathtas janë përzier aq shumë sa shpesh është bërë i vështirë dallimi. Për partitë shqiptare, sot për sot, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta për pushtet dhe për ta mbajtur atë me çdo mjet pasi e merr. Një simbiozë midis tregut të lirë dhe rolit rregullues të shtetit, mbase, do të ishte më e dobishme për çdo qeveri të së ardhmes në Shqipëri.
Leave a Comment