Gara për PD-në e Tiranës. Deputetët nisin lobingun

by admin on 25/12/08 at 1:30 pm

Mustafaj: Hyrja ime në garë ka nxitur rivalitetin në kryeqytet

Fushata për zgjedhjet në Tiranë ka ndezur polemikat në kampin blu dhe ka bërë që të shtohen kandidatët për kryesimin e degës së PD-së në kryeqytet. Deputeti Besnik Mustafaj ka theksuar se “futja ime në garë ka nxitur edhe kandidatët e tjerë të vetëshpallen për kryesimin e degës së PD-së në kryeqytet”. Sipas deputetit Mustafaj, statuti i Partisë Demokratike lejon që secili kandidat që gjen mbështetjen e zonës së tij të bëhet pjesë e garës dhe më pas në fund do të fitojë më i miri dhe ai që ka mbështetje më të gjerë. Deri tani, Tirana ka katër emra favoritë për postin që vazhdon të mbahet nga Sokol Olldashi. Besnik Mustafaj, Edi Paloka, Gjergji Bojaxhi dhe Lajla Përnaska janë deri tani pretenduesit për postin më të lakmueshëm të kampit blu në kryeqytet.
Mbledhjet e seksioneve të demokratëve kryeqytetas kanë bërë që të shtojnë emrat që propozohen si kandidatë të mundshëm për kreun e PD-së. Së fundmi, seksionet kanë propozuar një sërë emrash dhe dalja e tyre ka bërë më interesante garën politike.
“Do të ishte nder për mua që të kandidoja për kreun e PD-së së Tiranës dhe të jem i propozuar nga mbledhjet e seksioneve të bazës”, është shprehur deputeti Paloka, i cili doli deputet pasi ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, la mandatin e deputetit të PD-së për t‘u bërë Presidenti i Shqipërisë. Ndërsa Mustafaj, kritik ndaj drejtimit të PD-së që pas zgjedhjeve të 2005, ka theksuar se është e domosdoshme ringritja e PD-së së Tiranës. “Siç i mungon kryetari Bashkisë së Tiranës, ashtu i mungon dhe kryetari i PD-së së kryeqytetit”, është shprehur Mustafaj. Deputetja Përnaska do të jetë gruaja e vetme e cila do të përballet me kandidatët e tjerë. “Propozimi për këtë post erdhi nga disa struktura të partisë, dhe prandaj mendova se kjo do të ishte një gjë e mirë. Duke marrë parasysh statutin e PD-së, që e lejon një gjë të tillë, mendova të përfshihem në garë”, u shpreh Përnaska. 30% i grave në politikë ka rritur edhe ambicien e deputetes Lajla Përnaska, e cila kërkon të marrë postin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike në Tiranë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login