Dosjet, Berisha sfidon SHBA dhe OSBE
by admin on 23/12/08 at 4:47 pm
Mazhoranca miraton “spiunët”, injoron këshillat e ndërkombëtarëve. Ambasadorët Bosh e Lenarçiç: Ligji, implikime serioze kushtetuese dhe politike
Mazhoranca ka dalë hapur kundër ndërkombëtarëve, duke miratuar e vetme ligjin për “Pastërtinë e figurave”, edhe pse SHBA-ja dhe OSBE-ja kanë deklaruar se ai ngre shqetësime të rëndësishme kushtetuese. Në një seancë që s‘ka zgjatur shumë, Kuvendi me shumicë të thjeshtë ka miratuar draftin për të polemizuar javët e fundit. Pa praninë e opozitës, me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e PD-së kanë
miratuar ligjin për dosjet. Dy deputetët që kanë votuar kundër kanë qenë: Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa, ndërkohë që ka abstenuar deputeti i PBDNJ- së, Leonard Solis. Ashtu siç ishte parashikuar, seanca ka filluar me një tension, i cili realisht është ndihmuar nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli, që nuk e ka lejuar nënkryetarin e grupit të PSsë, Erjon Braçe, të përfundonte fjalën e tij, i cili, pasi ka informuar Kuvendin pse opozita nuk merrte pjesë në seancë, nuk i ka kursyer akuzat dhe ironinë ndaj mazhorancës e Kryeministrit Berisha. Topalli nuk e ka duruar ironinë e Braçes, ndaj ka ndërprerë seancën, pasi ky i fundit nuk largohej nga podiumi, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk kanë mundur të ndërhyjnë, me gjithë thirrjeve që u ka bërë Topalli. Pas fjalës së Braçes, ka reaguar menjëherë Kryeministri Berisha, i cili i ka cilësuar deputetët socialistë si “burracakë” e “frikacakë”, që i tremben përballjes me historinë e vendit. Sipas Berishës, ligji i hartuar nga pozita nuk synon hakmarrjen, siç pretendojnë deputetët e dit nga e kaluara. Duke kritikuar veprimin e së majtës, lideri i mazhorancës ka theksuar se zbardhja e së shkuarës është një detyrim i politikës. Pas Kryeministrit,fjalën e ka marrë kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili ashtu si PSja, është shprehur kundër votimit të këtij ligji, duke theksuar se ky
draft ka ardhur në një kohë jo të duhur dhe për të goditur politikisht. “Nuk është rasti i këtij projektligji, ai vjen në një kohë të papërshtatshme.
Ky ligj ka pasur kontestime të shumta. Gjithashtu është një projektligj që synon të godasë politikisht institucionin e prokurorisë dhe gjyqësorin,
të cilët janë të angazhuar në zgjidhjen e disa çështjeve madhore që kanë të bëjnë me korrupsionin”, është shprehur Xhufi. Po kështu, kundër ligjit është shprehur edhe grupi parlamentar i qendrës. Deputeti Durim Hushi, gjatë fjalës së tij, i ka bërë thirrje mazhorancës të mos e miratojë atë dhe ta kthejë për rishikim në Komisionin e Ligjeve. Ndërsa deputeti Nikollë Lesi ka kërkuar që në ligjin për “Pastërtinë e figurave” të përfshihen edhe pronarët dhe kryeredaktorët e mediave. Sipas tij, media është pushteti i katërt dhe nuk duhet të përjashtohet nga ky ligj. Lesi ka përmendur në sallën e Kuvendit disa pseudonime, si “Lapsi i gjelbër” dhe “Lotimi”, të cilat, sipas tij, janë pseudonime që mbahen nga drejtues mediash. Por, pavarësisht pretendimit të Lesit, deputetët e mazhorancës e kanë rrëzuar propozimin e tij, duke lënë në fuqi variantin e mazhorancës, ku mediat nuk preken nga ky ligj.
PS: Berisha, i papërgjegjshëm përballë Uashingtonit
Bojkot të Kuvendit deri sa të votohet Kodi Zgjedhor. Këtë vendim artikuloi dje në publik kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai shprehu
shqetësim serioz të Partisë Socialiste për zvarritjen e pajustifikueshme të punës së Parlamentit për Kodin e ri
Zgjedhor nga ana e forcave qeveritare dhe Kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit, në vlerësimin e liderit të opozitës, ka marrë një pozicion të papërgjegjshëm në raport me detyrimin madhor të forcave politike, të qeverisë veçanërisht dhe të tijin personalisht,ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtarë. “Marrja peng e Kodit Zgjedhor, për arsye që s‘kanë të bëjnë as me interesat e shqiptarëve e të Shqipërisë dhe as me Kushtetutën eligjin, por vetëm me interesat përditë e më personale të Kryeministrit të rrethuar nga zullumi përditë e më i trashë i korrupsionit qeveritar, është shprehja më alarmante e papërgjegjshmërisë së njeriut që qeveris vendin tonë dhe e vënies së pushtetit ekzekutiv në funksion të interesave të këtij njeriu e të oborrit të tij”, theksoi Rama. Ne, vijoi ai, po humbim kohë të shtrenjtë për ngritjen e administratës zgjedhore sipas
hapave të përcaktuar në Kodin e ri Zgjedhor e po rrezikojmë krejt procesin zgjedhor. Kjo ndodh, këmbënguli Rama, sepse Sali Berisha e ka mendjen se si të mbrojë veten e oborrin e tij nga hetimet për masakrën shtetërore të Gërdecit, nga hetimet për grabitjen e fondeve shtetërore të rrugës së kombit, nga hetimet për marifetet shumëmilionëshe të sekserit serb, që ka kapur shtetin me gjithë Kryeministrin. “Sali Berisha është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë së tij që po mbytet në kënetën e korrupsionit. Madje, ai shkon aq larg sa të mohojë publikisht, jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për antikushtetueshmërinë e projektligjit famëkeq,
por edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve”, tha Rama. Qëndrimi ynë është i qartë, garantoi Rama: Jemi gati të hapim dosjet, të gjitha dosjet dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve evropiane, që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë. Rama rikërkoi mbylljen e menjëhershme të punës së Parlamentit për Kodin e ri Zgjedhor me futjen për votim të dekretit të Presidentit pa humbur asnjëditë. Pa u mbyllur kjo punë, tha ai, të cilën jo vetëm ne por edhe partnerët tanë euroatlantikë e quajnë urgjente, Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë votim tjetër të Parlamentit.
OSBE-ODIHR: “Spiunët”, implikime serioze kushtetuese dhe politike
Reagimi i një prej organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë për draftin e PD-së për dosjet, dje është përshkallëzuar në një nivel më të përforcuar. Pas një deklarate për mediat, të kreut të prezencës së OSBEsë në Tiranë, Robert Bosh, një javë më parë, dje ka ardhur një reagim zyrtar i selisë së OSBE-së në Tiranë, por edhe drejtorit të ODIHR-it, që përbën degën më të fuqishme
të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Dy zyrtarët ndërkombëtarë i kanë kërkuar zyrtarisht mazhorancës që të mos e miratojë draftin mbi pastërtinë e figurave, por të zhvillojë konsultime me grupet e interesit. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori
Robert Bosh dhe drejtori i zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR), ambasadori Janez Lenarçiç, nxitën Parlamentin shqiptar që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi “Pastërtinë e figurave”, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera. “Është e domosdoshme që çdo proces lustrimi të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë”, u shpreh Bosh. Ndërkaq, drejtori i ODIHR-it, Lenarçiç, theksoi se “ligji ka implikime serioze kushtetuese
e politike dhe shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur”. Ambasadorët theksuan se Prezenca në Shqipëri dhe ODIHR-i ishin të gatshëm të mbështesnin autoritetet shqiptare nëse do t‘u kërkohej të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj. Reagimi zyrtar i OSBE-së dhe ODIHR-it ka ardhur pas qëndrimit refraktar të mazhorancës në deklaratën mediatike të diplomatit holandez, Robert Bosh, javën e kaluar. Ditët e fundit po vihet re refuzimi i parë nga ana e mazhorancës në lidhje me rekomandimet e ndërkombëtarëve. Refuzim, i cili pritet të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët euroatlantikë.
OSBE-ODIHR janë dy nga organizatat që janë ngarkuar nga Bashkimi Evropian, por edhe institucione të tjera për të monitoruar zhvillimet demokratike në vend, duke nisur nga zgjedhjet, por edhe funksionimi i balancimit të pushteteve dhe ruajtja e pavarësisë së tyre.
Leave a Comment