Analiza e Galianit: Milani është më i fortë se Interi

by on 23/12/08 at 3:27 pm

Adriano Galiani nuk i bën “dhurata” Interit as në këtë prag festash. Zëvendëspresidenti i Milanit këmbëngul se kuqezinjtë e drejtuar nga Karlo Ançeloti janë më të fortë se kryesuesit e Serisë A. Kjo, pavarësisht diferencës prej nëntë pikësh në tabelën e klasifikimit. “Djalli” u kthye te fitorja, duke shpartalluar 5-1 Udinezen. Tashmë që viti 2008 po mbyllet, Galiani analizon ecurinë e Milanit dhe beson se problemet e skuadrës qëndrojnë në faktin se nuk po gjen vazhdimësi në rezultate, mbi të gjitha kundër skuadrave të ashtuquajtura “të vogla”. “Milani është më i fort se Interi, gjatë këtij viti i kemi mundur dy herë”, deklaroi numri 2 i klubit kuqezi për “Corriere Dello Sport”. “Mendoj se nëntë pikët më pak që kemi në kampionat lidhen me faktin se kemi bërë hapa fals kundër ekipeve më të vogla. Duhet të gjejmë vazhdimësinë në rezultate, pasi i kemi të gjitha mundësitë që të fitojmë titullin”. Më tej ai foli për paraqitjen e së dielës: “Ndeshja kundër Udinezes ishte e shkëlqyer, treshja braziliane (Kaka-Ronaldinjo-Pato) më dukej si ‘treshja e mrekullive‘. Shpresojmë ta fillojmë vitin e ri në të njëjtën mënyrë”. Pas qëndrimit të shkurtër në Itali, Devid Bekham u rikthye në Angli, por Galiani saktësoi se mesfushori do të bashkohet me skuadrën gjatë javës së ardhshme. “Bekham do të vijë më 29 dhjetor dhe do të shkojë në Dubai për fazën përgatitore së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, shtoi ai. Bekham është një lojtar si të gjithë të tjerët. Mund ta shohë ndeshjen nga tribuna, stoli ose mund të jetë në fushë: këto janë vendime që i përkasin trajnerit”. Në anën tjetër, mesfushori 33-vjeçar theksoi se po pret me padurim të luajë me Milanin. Madje, ai dëshironte që të ishte në fushë në fitoren e fundjavës, të cilën e ndoqi nga tribuna qendrore përkrah bashkëshortes, Viktoria. “Do të më pëlqente të kisha luajtur, pasi kur je pjesë e një ekipi të madh është e pamundur të mos zbavitesh në fushë”, u shpreh Bekham, që më parë ka luajtur me Mançester Junajted dhe Realin e Madridit. “Ishin momente të bukura, kur fëmijët më dorëzuan fanellën e Milanit dhe kur ndjeva mbështetjen e tifozëve. Kam luajtur te Junajted e Real, ashtu sikurse te këto klube, edhe te Milani presioni është i njëjtë”.
Kaka
Përveç Patos, lojtari tjetër që shkëlqeu në fitoren 5-1 ishte Kaka. Me dy gola të realizuar, braziliani duket se ka rigjetur formën më të mirë pas dëmtimit. Tashmë, ish-fituesi i “Topit të Artë” synon një arritje personale: realizimin e 100 golave me fanellën kuqezi. “Jam i kënaqur nga fitorja. Luajta përkrah Ronaldinjos dhe gjithçka shkoi mirë”, tha Kaka. “Do të vazhdoj të shënoj edhe shumë gola për Milanin. Për të arritur kuotën 100 me këtë skuadër, më nevojiten vetëm 14. Shpresoj që ta realizoj këtë objektiv brenda një kohe sa më të shkurtër”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login